Simmons më 12 korrik raporton në Kuvendin e Kosovës “për shkeljet e EULEX-it”

Simmons më 12 korrik raporton në Kuvendin e Kosovës “për shkeljet e EULEX-it”

Ish-kryetari e Gjyqtarëve të EULEX-it në Kosovë, Malcolm Simmons, do të raportojë më 12 korrik në Kuvendin e Kosovës, përmes një video lidhje për pretendimet e tij se ky mision ka kryer shkelje përgjatë punës në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar për Albanian Post, avokati i tij në Kosovë, Artan Çerkini.

“Po ai do të raportojë online dhe nuk do të jetë prezent në Kuvend për shkak të pandemisë”, tha Çerkini.

Më datë 12 korrik, Simmons i kishte nisur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një dokument prej 25 faqesh të dëshmisë së tij për skandalet e pretenduara nga ai, të kryera nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Një kopje të këtij dokumenti e posedon edhe Albanian Post, në të cilin Simmons tregon sesi prokurorët e EULEX-it ua kishin dërguar dosjet e “krimeve të luftës” autoriteteve të Serbisë, por edhe kishin udhëtuar disa herë drejt shtetit serb.

“Para caktimit tim si Kryetar i Gjyqtarëve të EULEX-it, unë kam qenë në ndijeni për diskutimet brenda EULEX-it në lidhje me transferimin e dosjeve tek autoritetet prokuroriale të Serbisë. Këtu janë përfshirë dosjet e EULEX-it të marra nga UNMIK-u. Unë gjithashtu kam qenë në dijeni për bisedimet e vazhdueshme ndërmjet prokurorëve të EULEX-it dhe prokurorëve të Serbisë. Në të vërtetë prokurorët e EULEX-it kanë udhëtuar në Serbi në shumë raste për t’i diskutuar lëndët me prokurorët e Serbisë”, shkruan Simmons.

Kurse, misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë i ka mohuar deklaratat e ish-gjyqtarit të EULEX-it, Malcolm Simmons, sipas së cilit ky mision u ka dorëzuar dosje të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë.

Në reagimin e EULEX-it thuhet se “deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it, në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë”.

Nga ky mision bëjnë të ditur se, në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës, që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në autoritetet prokuroriale të Serbisë.

Sipas EULEX-it, “në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione. Ata u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht”.

Gjykatësi, Malcolm Simmons, shërbeu si gjyqtar ndërkombëtar nga viti 2004 në 2017, duke dëgjuar çështje të krimit të luftës dhe krimit të rëndë dhe të organizuar.

Ai kryesoi në disa prej rasteve më të ndërlikuara të krimit të luftës dhe krimit të organizuar në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë gjatë periudhave të tyre të trazuara të pasluftës. /Albanianpost.com

Related Articles