“Objektet e RTK-së janë në rrezik të shemben”

“Objektet e RTK-së janë në rrezik të shemben”

Sindikata e Punëtorëve e Radio Televizionit të Kosovës ka bërë të ditur se objektet e Radio Televizionit të Kosovës janë në rrezik për t`u shembur nga vjetërsia dhe nga dëmtimet që kanë ndodhur në vite.

Kjo sindikatë përmes një letre drejtuar Kuvendit të Kosovës, ka thënë se këto objekte përveç rrezikut për shembje ato nuk i plotësojnë kushtet edhe për të punuar.

Tutje ata kanë njoftuar se objektet janë të dëmshme edhe për shëndetin e punëtorëve të cilët thonë se punojnë në to me mbi 12 orë në ditë.

Sindikata kërkon urgjentisht nga Kuvendi i Kosovës që të fillojë procedurat për t’ia kaluar RTK-së objektet ku gjendet Radio Kosova dhe aneksin në këtë ndërtesë.

Kjo thekson sindikata, është letra e fundit dhe paralajmëruese për gjendjen e objekteve në RTK.

“Nuk ekziston asnjë praktikë e tillë ku mediumi i vetëm publik të zhvillojë veprimtarinë e vet në objekte afër shembjes dhe me lokacion në treg ku çdo lëvizje e kolegëve tanë pengohet për të dalë fillimisht nga tregu e pastaj për ta ndjekur ndonjë ngjarje me rëndësi për publikun”, thuhet në njoftim.

Sindikata konsideron se me një investim jo të kushtueshëm, RTK do të sigurojë objekte dhe hapësira të pranueshme për një TV publik.

“Objekti dhe aneksi të Radio Kosova duhet t`i kalojë në pronësi RTK-së dhe aty janë të gjitha kushtet që duhet t`i ketë RTK, po ashtu edhe hapësira e parkingut për të gjithë punonjësit e RTK-së”.

“Kërkojmë nga ju që me urgjencë ta fusni në rend dite në njërën nga seancat e Kuvendit të Kosovës. Shpresoj se kjo letër do të merret seriozisht nga të gjithë ju që përfaqësoni vullnetin e popullit dhe themeluesit të RTK-së”.

Në fund thuhet se sindikata do të zhvillojë takime me të gjithë deputete për këtë çështje dhe konsideron se tash kjo çështje është emergjente dhe nuk ka kohë për të menduar por duhet  veprim./Gazeta Enigma/

Related Articles