Situatë kaotike në aeroportin e Kabulit

Situatë kaotike në aeroportin e Kabulit

Derisa talibanët po festojnë në qendër të Kabulit dhe po fotografohen në zyrën e presidentit në ekzil Ashraf Ghani, në aeroportin ndërkombëtar Hamid Karzai po vazhdon evakuimi.

Pavarësisht të gjithave, evropianët dhe afganët që kanë bashkëpunuar me NATO-n dhe ushtrinë amerikane po tentojnë t’i shpëtojnë më të keqes, nga frika e hakmarrjes së talibanëve, të cilët pretendojnë se pa shkrepjen e as edhe një plumbi janë futur në Kabul.

Pavarësisht që në qytet janë futur talibanët, evakuimet kanë vazhduar. Pothuajse të gjithë diplomatët evropianë dhe anëtarët e misionit ushtarak të vendeve të NATO-s kanë shkuar në aeroport ku po sigurohen nga marinsat amerikanë, derisa talibanët janë shpërndarë në të gjitha anët.

Të shtëna sporadike dhe granatime ka pasur, por evakuimi për asnjë moment nuk është ndalur. Madje ajo që po quhet evakuim është dokumentuar edhe nga ambasadori francez në Afganistan, David Marton, i cili filmoi momentin e evakuimit me helikopterin e ushtrisë amerikane si dhe momentin kur futen në fluturake punonjësit e ambasadës.

Në anën tjetër, ministrja franceze Florense Parli, ka njoftuar se mbrëmë presidenti Emmanuel Macron ka urdhëruar që dy aeroplanë transportues C-130 dhe A-400 M të fluturojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga ku të hënën në orët e para të mëngjesit do të fillojë operacioni i evakuimit dhe tërheqjes së rreth 200 shtetasve francezë nga Afganistani.

Aeroplanët do të fluturojnë në relacionin Kabul-Abu Dhabi, ku do t’i presin pjesëtarët e forcave ajrore dhe do të bëhen gati për rikthim në vendlindje.

Derisa misionet e huaja po vazhdojnë rikthimin apo po e realizojnë ekskluzivisht me aeroplanë ushtarakë transportues – është publikuar një video amatore që tregon situatën kaotike në aeroport, ku një numër i madh i njerëzve po tentojnë të futen nëpër aeroplanët transportues dhe të largohen nga Afganistani. 

Related Articles