Skandal i madh në Itali – Rreth 50 futbollistë të Serie A të përfshirë në rrjet prostitucioni

Skandal i madh në Itali – Rreth 50 futbollistë të Serie A të përfshirë në rrjet prostitucioni

Një skandal i madh ka tronditur futbollin italian, pasi autoritetet kanë zbuluar një rrjet të organizuar prostitucioni që dyshohet se ka përfshirë rreth 50 futbollistë të kampionatit Serie A, si dhe figura të tjera të njohura.

Hetimet janë zhvilluar nga Guardia di Finanza në Milano, e cila ka çmontuar një organizatë që operonte nën maskën e një agjencie eventesh.

Kjo agjenci u ofronte klientëve të pasur, përfshirë sportistë profesionistë, paketa luksoze që përfshinin dalje në klube nate, akomodim në hotele dhe shërbime seksuale kundrejt pagesave të larta.

Sipas informacionit nga botimi i “La Gazzetta dello Sport”, i konfirmuar nga policia lokale, të përfshirët përfshijnë lojtarë nga gjigantët Milan dhe Inter.

Sipas prokurorisë, organizata kishte arritur të përfitonte mbi 1.2 milionë euro nga aktivitetet e paligjshme dhe akuzohet për nxitje të prostitucionit dhe pastrim parash. Katër persona janë vendosur në arrest shtëpiak si pjesë e operacionit policor.

Nga të dhënat e hetimit rezulton se klientëve u ofroheshin “paketa të plota” argëtimi, që përfshinin gjithashtu përdorimin e substancave si oksidi i azotit, i njohur si “gazi i të qeshurit”, gjatë këtyre aktiviteteve.

Megjithatë, deri më tani, futbollistët e përfshirë nuk janë nën hetim penal dhe nuk akuzohen për shkelje ligjore, pasi konsiderohen klientë të shërbimeve dhe jo organizatorë të aktivitetit të paligjshëm. Identitetet e tyre nuk janë bërë publike në dokumentet zyrtare.

Autoritetet italiane kanë deklaruar se hetimet do të vazhdojnë për të zbuluar të gjithë zinxhirin e personave të përfshirë dhe për të sqaruar përmasat reale të këtij skandali që ka tronditur opinionin publik në Itali.

Related Articles