Ministria e Arsimit ka reaguar pas debatit ditëve të fundit në lidhje me kurrikulën për edukatën seksuale që së shpejti do të sjellet në bankat shkollore.
Pas reagimeve të shumta, MASHTI tha se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore, “do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet tjera informative për mësimdhënës”.
“Në lidhje me debatin e ngritur ditëve të fundit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual siç është raportuar e përfolur këto dy ditë. Në Kosovë ndryshimet kurrikulare kanë nisur në vitin 2001. Gjatë viteve 2008-2016 janë miratuar dhe hartuar Korniza e Kurrikulës së Kosovës, kurrikulat bërthamë dhe programet lëndore. Në kuadër të kurrikulës së saj arsimore, në përputhje me standardet evropiane të përcaktuara nga OBSH, Kosova ka përfshirë edukimin seksual në kurrikulën e saj arsimore përmes kompetencës “Individ i shëndosh,”. Edukimi seksual trajtohet si çështje ndërkurrikulare, përmes lëndëve të ndryshme mësimore, prej përspektivave të ndryshme, në kontekstin shkencor, shoqëror-kulturor dhe shëndetësor me qëllim mbrotjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e shumta që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre”, thuhet në reagimin e ministrisë.
“Në vitin 2016, MASHTI ka themeluar grupin punues me përfaqësues si ekspertë nga IKSHPK, ekspertë të kurrikulës dhe mësimdhënës, me detyrë për hartimin e dokumenteve dhe këtyre doracakëve. E gjithë ky proces është mbështetur nga UNFPA. Grupi punues ka hartuar 4 doracakë për mësimdhënës dhe broshura informative për prindër. Këto materiale janë finalizuar dhe miratuar nga MASHTI më 10.02.2020”.
Tutje MASHTI tha se njofton prindërit dhe palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativ dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit.
“Propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve. Si Ministri e Arsimit, me përgjegjësi të plotë punojmë dhe angazhohemi për mirëqenien e fëmijëve. Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore”, është thënë tutje në komunikatë. /Gazeta Enigma