Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me skandalin për të cilin raportuan mediat në Shqipëri, ku dyshohet se kompania “Apetit Shpk”, me ndihmën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, mishin nga Brazili e ka shitur si mish nga Kosova, duke falsifikuar vendin e origjinës.
Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila tha se “Policia është autorizuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje””, ka thënë Ulaj.”.
Komisioni Disiplinor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë e ka pezulluar nga puna inspektorin Qenan Maxhuni, i cili sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, falsifikonte vendin e origjinës për mishin që shitej në Shqipëri.
“Të pezulluarit sin ë pikën 1 të këtij vendimi i pezullohet marrëdhënia e punës në AUV, deri në marrjen e vendimit tjetër .I pezulluari do të kompensohet me 50 të pagës mujore sipas dispozitave ligjore në fuqi, pezullimi mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet në vendim.
“Komisioni duke u bazuar në ndjeshmërinë e çështjes, bazuar në neni 59 paragrafi 4 dhe nenit 69 paragrafi 1 nën paragrafët 1.1 të Ligjit nr 08/L-197 për Zyrtarët Publik, vendosi që nëpunësi z.Qenan Maxhuni në pozitën e Inspektor Veterinar të pezullohet sipas detyrës zyrtare, sepse ka arsye të besohet se vazhdimi i ushtrimit të detyrës nga nëpunësi civil ndaj të cilit ka filluar procedura disiplinore, pengon hetimin disiplinor ose mund të cenoj ushtrimin e përshtatshëm të detyrës së tij”, thuhet në arsyetim.
Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për kompaninë “Apetit sh.p.k”, pas raportimeve.
Për rastin ka raportuar emisioni “Stop”, ku u tha se vetëm për vitin 2023 në Shqipëri janë importuar rreth 600 mijë kg mish nga kompania “Apetit shpk”.
“Ne u informuam, se në Shkozet të Durrësit, një biznes në emër të Ilir Gjonit, shet mish të ngrirë brazilian, që hyn nga Kosova përmes “Apetit shpk”.Ky tregtar na tregon si ta shkrijmë mishin 24 orë përpara dhe ta servirim si mish të freskët Kosovë. Me kamera të fshehtë, morëm rolin e biznesmenit të hotelerisë dhe porositëm 1 ton mish nga “Apetit shpk” në Kosovë. Por dokumentet u bënë sikur 1 ton mish fileto vici ishte mish i freskët nga Kosova, i therur në janar 2024. “Apetit” me ndihmën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë me inspektor Qenan Maxhuni bënë të mundur falsifikimin e origjinës së mishit nga Brazili në Kosovë.
Tre ditë, pasi porositëm 1 ton mish nga Kosova tek “Apetit shpk”, sasia e filetos së vicit erdhi në Tiranë përmes pikës doganore të Morinës, duke i kaluar të gjitha kontrollet e vulave veterinare të therjes apo edhe falsifikimi i origjinës së mishit. “Apetit shpk” kishte falsifikuar edhe çmimin, për të mos paguar detyrimet në baze të çmimit real prej 15 eurosh për 1 kg mish fileto vici. Për këtë skandal ne shkuam në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ku zëdhënësi për mediat, pasi u njoh me problemin, tha, se do të nisë një hetim nga ky institucion në bashkëpunim edhe me institucione të tjera ligjzbatuese për dënimin e këtij fenomeni, që dëmton konsumatorin dhe ekonominë”, pretendohet në këtë emision.