Portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Arijanet Muriqi, mund të kthehet në futbollin anglez për sezonin e ri. Sajti “SportBible” ka raportuar të martën se Burnley, ekip që do të bëjë gara në Championship, po e synon portierin Muriq.
Në fakt, thuhet se është trajneri Vincent Kompany ai që pritet të jetë në krye të Burnley, që do ta kërkojë 23-vjeçarin ta ketë në portë. Ende nuk dihet nëse Burnley do ta kërkojë huazimin apo transferimin e plotë të reprezentuesit të Kosovës, i cili ka kontratë me Manchester Cityn deri në vitin 2024. Sezonin e fundit, Muriqi ishte i huazuar te skuadra elitare e Turqisë, Adana Demirspor, ku pati 32 paraqitje në të gjitha garat.
Muriqi ka edhe pesë paraqitje me fanellën e Manchester Cityt, por viteve të fundit ka qenë i huazuar edhe te Nottingham Foresti, Girona e Willem II.