S’ndalen rastet e dhunës në familje, për 24 orë raportohen gjashtë raste të reja

S’ndalen rastet e dhunës në familje, për 24 orë raportohen gjashtë raste të reja

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë, raporton Gazeta “Enigma”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje në Prishtinë rreth orës 12:00 është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas policisë, viktima është dërguar në strehimore ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa, në raportin 24 orësh të policisë thuhet se dje në Prishtinë në orën 13:55 një grua ka raportuar në polici se në vazhdimësi ka pasur presion psikik dhe sulme fizike nga i dyshuari mashkull kosovar me të cilin ishte duke bashkëjetuar.

Sipas policisë, ankuesi nuk është hasur nga njësitë policore. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit. Rasti vazhdon të hetohet.

Dje në orën 06:20 në Gjilan është arrestuar një burrë pasi i njëjti ka kanosur familjen e tij.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Junik dje në orën 13:40 është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas policisë, me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Pejë dje në orën 21:15 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Sipas policisë, i dyshuari ka qenë në ndikim të alkoolit me 1.28 promil dhe në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajte.

Ndërsa, në Gjakovë dje është arrestuar një grua pasi që dyshohet se ka sulmuar fizikisht vajzën e saj të mitur.

Të miturës i është ofruar tretman mjekësor ku është ndaluar për tretman nga mjeku kujdestar.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit e dyshuara të lirohet.

Kujtojmë që raste të shumta të dhunës në familje raportohen për çdo ditë në Kosovë. Përkundër dhunës së ushtruar, shumë persona lirohen në procedurë të rregullt. /Gazeta Enigma.

Related Articles