Në kampionatin italian, po zhvillohet një luftë e ashpër për pozitat të cilat dërgojnë klubet në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ku gjashtë skuadra po garojnë për tre vende.
Mbrëmja e së enjtes, vjen me dy ndeshjet e fundit të javës së 32-të në Serie A, të cilat ofrojnë edhe dy përballje direkte për këtë objektiv.
Roma do të provojë ndoshta shansin e fundit për një nga këto pozita, ku do të pres Atalantën në stadiumin “Olimimpico” të kryeqytetit italian me fillim nga ora 18:30.
Verdhekuqtë vijnë në këtë sfidë pas humbjes 3:1 ndaj Torinos në fundjavën e kaluar, dhe do të kenë përballë një ndër skuadrat më në formë në Serie A.
Në anën tjetër, Atalanta e mposhti Juventusin të dielën e kaluar dhe në rast të suksesit edhe ndaj Romës, do të ngjiteshin në pozitën e dytë në tabelë, dhe në një mënyrë, do të siguronin vendin për të luajtur në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Atalanta udhëton në kryeqytet, pas një forme të shkëlqyer në Serie A, të cilët në pesë ndeshjet e fundit, kanë arritur po aq fitore, ndërsa Roma në pesë sfidat e fundit ka arritur vetëm një fitore, kundrejt një barazimi dhe tre humbjeve.
Roma gjendet në pozitën e shtatë në tabelë me 54 pikë, ndërsa Atalanta ka 10 pikë më shumë dhe pozicionohet e katërta.
Super ndeshja tjetër për zonën Champions, do të zhvillohet në stadiumin “Diego Armando Maradona”, aty ku Napoli e pret Lazion.