Sot rikthehet Liga e Kampionëve me ndeshje interesante, vëmendja kryesore në takimin PSG – Juventus

Sot rikthehet Liga e Kampionëve me ndeshje interesante, vëmendja kryesore në takimin PSG – Juventus

Për Paris Saint-Germainin secili edicion nis me pyetjen nëse do të jetë i shpërthimit në Ligën e Kampionëve. Kjo pyetje është aktuale edhe tani, në prag të ndeshjes së parë të Parisit në fazën grupore të Championsit, që e luan të martën ndaj Juventusit.

Ndeshja PSG – Juventus llogaritet kryesorja e ditës së parë në fazën grupore të Championsit.

Real Madridi e nis mbrojtjen e titullit ndaj Celticut në Skoci, ndërsa Manchester Cityn e pret një udhëtim i vështirë te Sevilla në Spanjë.

Por vëmendja e tifozëve të futbollit megjithatë do të jetë në “Parc des Princes”, ku takohen PSG-ja dhe Juventusi. Ndeshja i takon grupit H, ku bëjnë pjesë edhe Benfica dhe Maccabi Haifa. PSG-ja dhe Juventusi megjithatë janë favoritët e mëdhenj të grupit.

Ka një dekadë që Parisi e synon trofeun më të madh të futbollit evropian. Pasi u mor në pronësi nga Katari, Parisi është shndërruar në forcë të futbollit evropian. Por në Champions është paraqitur vetëm një herë në finale, kur në vitin 2020 u mposht nga Bayerni.

PSG-ja rregullisht ka dëshpëruar në Ligën e Kampionëve, ndërsa në raste edhe është turpëruar.

Në klubin parisien janë kujdesur që momentet e turpërimit të mos përsëriten. Skuadra ka trajner të ri, përgjegjës të ri për blerjen e lojtarëve dhe disa lojtarë të rinj. Mbi të gjitha në skuadër ka mbetur superylli Kylian Mbappe, që shpreson ta udhëheqë skuadrën drejt titullit të parë evropian. Lionel Messi e Neymar po ashtu janë në skuadër dhe kjo vetëm sa rrit më shumë presionin për sukses të Parisit në Ligën e Kampionëve.

Treshja e yjeve ka shfaqur shumë në fillim të edicionit dhe tifozët e PSG-së shpresojnë që forma e tyre të jetë e njëjtë edhe në Ligën e Kampionëve.

Neymari është transformuar në muajt e fundit, duke shfaqur formë të lartë. Nivel të lartë po shfaq edhe Messi.

Trajneri i ri, Christophe Galtier, duket më autoritativ se Mauricio Pochettino. Galtier nuk ka hezituar të nxjerrë yje nga fusha, nëse këtë e ka parë të nevojshme.

Ka më shumë telashe në repartin defanziv të Parisit, ndërsa niveli i vërtetë mund të testohet nga Juventusi.

“Lojtarët e duan këtë garë. Mezi presim të nisim kampanjën me këtë ndeshje fantastike. Juventusi është ekip me përvojë, me lojtarë cilësorë dhe një trajner që e njeh Championsin shumë mirë. Është ekip i organizuar mirë, por unë kam besim në ekipin tim dhe pres që të luaj në mënyrën e duhur për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Galtier të hënën në konferencë për shtyp.

Mbappe ka thënë se për Parisin është me shumë rëndësi që të fitojë ndaj një skuadre si Juventusi.

“Objektivi i vetëm kur të dal në fushë është të bëj çdo gjë për ta ndihmuar ekipin të fitojë. Por Liga e Kampionëve është garë shumë e vështirë. Ekipet më të mëdha evropiane janë forcuar këtë verë, kështu që duhet të luftojmë. Është me rëndësi për një klub si Parisi që ta mposhtë një gjigant evropian si Juventusi. Duam që kampanjën ta fillojmë mbarë”, ka thënë Mbappe.

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, ka theksuar se Parisi është favoriti kryesor për ta fituar Championsin në këtë edicion.

Në fakt, Juventusi nuk llogaritet në mesin e skuadrave të favorizuara. Por kjo skuadër asnjëherë nuk mund të nënçmohet.

Juve të shtunën luajti 1:1 me Fiorentinan në Serie A. Në pesë ndeshjet e deritashme në kampionatin italian, Juventusi ka dy fitore e tri humbje.

“Na duhen dhjetë pikë për të kaluar grupin në Champions. Për mendimin tim, Parisi është favoriti numër një në këtë garë këtë edicion. Do të jetë ndeshje e mirë. Qartë, se do të synojmë të luajmë një ndeshje të madhe”, ka thënë Allegri.

Ai nuk do të mund të llogaritë në Angel di Marian, që të hënën u la jashtë skuadrës për shkak të një lëndimi.

“Duhet të japim më të mirën dhe natyrisht të shijojmë ndeshjen. Angel di Maria është mungesë e madhe. Ai dhe Leandro Paredes kanë përmirësuar karakterin e skuadrës. Duhet të shfaqim ndeshje të mirë. Besojmë se mund të bëjmë diçka të veçantë”, ka thënë mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci.

Të martën luhen ndeshjet e para në grupet E, F, G dhe H. Prej orës 18:45 janë vetëm ndeshjet Dinamo Zagreb – Chelsea dhe Borussia Dortmund – Copenhagen. Ndeshjet e tjera fillojnë në ora 21:00.

E martë

Grupi E

Dinamo Z. – Chelsea (18:45)

RB Salzburg – Milan (21:00)

Grupi F

Celtic – Real Madrid (21:00)

RB Leipzig – Shakhtar Donetsk (21:00)

Grupi G

B. Dortmund – Copnehagen (18:45)

Sevilla – Manchester City (21:00)

Grupi H

Benfica – Maccabi Haifa (21:00)

PSG – Juventus (21:00)

Related Articles