Kosova e përfundon në Poloni një cikël të vështirë kualifikues

Kosova e përfundon në Poloni një cikël të vështirë kualifikues

Me një ndeshje të vështirë në udhëtim, futbollistet e Kosovës kompletojnë kualifikimet për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm. Të martën nga ora 18:30, Kosova luan me Poloninë. Ndeshja luhet në Lublin të Polonisë. Në termin të njëjtë janë edhe ndeshjet e tjera të grupit, Armenia – Belgjika dhe Norvegjia – Shqipëria.

Norvegjia e ka fituar grupin F dhe është kualifikuar në Botëror. I ka 25 pikë. Belgjika është e dyta me 19 pikë, ndërsa Polonia e treta me 17 pikë. Vendi i dytë dërgon në plejof, por gjasat thuajse nuk ekzistojnë që Belgjika të dështojë ndaj Armenisë dhe që Polonia ta kalojë në tabelë. Polonia do të përfundojë e treta, ndërkohë që Kosova do të përfundojë e pesta. Kosova i ka 7 pikë, ndërsa në vendin e katërt është Shqipëria me 10 pikë, që po ashtu është thuajse pa gjasa ndaj Norvegjisë. Armenia nuk ka pikë dhe nuk pritet të fitojë të tillë.

Kosova kishte nisur kampanjën me barazim premtues, 1:1, ndaj Shqipërisë, më 16 shtator të vitit të kaluar. Më pas ishte mposhtur 3:0 nga Norvegjia, më 21 shtator. Në tetor pësoi thellë, 7:0, nga Belgjika, ndërsa fitoi 1:0 ndaj Armenisë. Në nëntor “dardanet” pësuan 2:1 nga Polonia në Prishtinë e më pas 3:1 nga Shqipëria. Ishte ndeshja e fundit me selektoren Afërdita Fazlija, që ndërkohë u zëvendësua nga suedezja Anneli Andersen.

Në prill lojtaret e Kosovës pësuan 5:1 nga Norvegjia e 6:1 nga Belgjika. Dhe fitore tjetër u shënua ndaj Armenisë, javën e kaluar. Ndeshja doli të jetë më e vështirë se që pritej, ndërsa armenet kaluan në epërsi 1:0. Ishte goli i parë i tyre në këto eliminatore, që në fakt ishte autogol i Kosovës. Por në fund Kosova shënoi dy gola për fitoren e vështirë, 2:1.

“Është ndeshje që na ndihmon të zhvillohemi. Besoj se do të luajmë më mirë se në ndeshjen e kaluar me polaket. Polonia ka ekip të mirë, por i dimë pikat e dobëta dhe të forta të saj. Nëse iu përmbahemi detyrave taktike deri në fund, atëherë jam optimiste se do të kemi ndeshje të mirë”, ka thënë kapitenia e Kosovës, Erëleta Memeti.

Ajo është prej pak profesionisteve në përfaqësuese. Luan në Bundesligë. Rritjen e përfaqësueses po e frenon liga jo shumë cilësore vendore, ku vazhdimisht ka mungesë të konkurrencës. Ndërkohë edhe numri i lojtareve në nivele serioze evropiane nuk është i madh.

Related Articles