Sot varroset regjisorja Burbuqe Berisha

Sot varroset regjisorja Burbuqe Berisha

Mesditën e djeshme, në hapësirat e Ministrisë së Kulturës ka vdekur në moshën 51-vjeçare, ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar dhe regjisorja, Burbuqe Berisha.

Varrimi i saj do të bëhet sot në orën 15:00, në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur motra e saj, Trëndelina Berisha, e cila ka dhënë detaje rreth ceremonisë mortore për regjisoren.

“Ju njoftojmë se ceremonia mortore mbahet me datën 28 tetor, duke filluar me mbledhjen komemorative të organizuar nga Kolegji AAB, në teatrin “Faruk Begolli”, me fillim në orën 10:00. Pastaj nga ora 12-14, nën organizimin e MKRS, mbahen homazhe në Teatrin Kombëtar, ndërsa ceremonia e varrimit bëhet në orën 15, në varrezat e qytetit, në Prishtinë. Ditën e premte, me 29 tetor, në orën 11:00, në Teatrin Kombëtar, nën organizimin e Ministrisë së Kulturës, mbahet mbledhja komemorative, për nderimin e jetës dhe veprës së Buqes tonë. Me këtë rast falënderojmë përzemërsisht Kolegjin AAB, MKRS-në dhe gjithë shoqërinë, familjarët dhe dashamirët, që gjatë gjithë kohës ishin dhe vazhdojnë të jenë me ne duke bashkë ndarë dhembjen!”, shkroi ajo.

Ajo ka shkruar fjalë prekëse për të.

“Motra ime, shpirti im i bardhë, ti që ishe motër, nënë e babë për ne, mua, Vjollcën dhe Dardanin. U rritëm me shumë sakrifica, pa prindërit tanë, por gjithmonë qëndruam të lidhur e të bashkuar. Krahu ynë sot u këput, ike papritmas dhe na le në pikëllim të thellë e me zemër të thyer. Nuk ka fjalë që ta përshkruajë dhimbjen që ndiejmë për humbjen tënde. Kontributi yt ishte shumë i madh jo vetëm për familjen por edhe për gjithë vendin tonë! Pusho e qetë shpirti jonë i bardhë!”, ka shkruar Trëndelina. /Gazeta Enigma.

Related Articles