Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 24 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash, në kuadër të dosjes “Ura”, e cila është hetuar që nga viti 2019.
Sipas hetimeve të përbashkëta me Prokurorinë Antimafia të Barit në Itali, grupi kriminal i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë dyshohet se operonte nga Shqipëria me degëzim në Itali, duke organizuar trafikun dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të kokainës që vinin nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa komunikimet mes anëtarëve kryheshin edhe përmes platformës së enkriptuar SkyECC.
Sipas SPAK, autoritetet kanë dokumentuar sekuestrime të konsiderueshme droge në Itali dhe Holandë, përfshirë sasi që shkojnë nga disa kilogramë deri në mbi 2 ton kokainë, si dhe qindra kilogramë kanabis. Në total janë sekuestruar mbi 4 milionë euro cash, ndërsa pasuritë e identifikuara dhe të sekuestruara vlerësohen rreth 12 milionë euro.
SPAK thekson se të ardhurat nga trafiku dyshohet se pastroheshin përmes aktiviteteve të ndryshme ekonomike dhe transportoheshin me mjete të transportit ndërkombëtar për të shmangur kontrollet, ndërsa hetimet për pasuritë e lidhura me të pandehurit vijojnë ende.
