Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, ia dha skuadrës së tij një detyrë unike pas humbjes në penallti nga Italia në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar.
“U thashë lojtarëve të mi se kanë detyra shtëpie përpara Kupës së Botës. Duhet t’i gjuanin të paktën 1000 penallti me skuadrën”, ka rrëfyer Luis Enrique, të hënën. “Ne nuk mund të punojmë për këtë vetëm në kampin stërvitor me përfaqësuesen”.
Spanja shpreson se ndeshja kundër Marokut nuk do të shkojë në penallti, por trajneri Enrique insiston se ekipi i tij është i përgatitur mirë nëse takimi arrin deri në atë pikë.
Spanja do të përballet me Marokun në 1/8 e finales, ndeshje që luhet të martën prej orës 16:00 në “Education City Stadium”. Spanja u eliminua në penallti edhe në Kupën e Botës 2018, nga Rusia nikoqire.
“Nuk varet vetëm nga fati. Është një moment i presionit më të lartë. Nëse je stërvitur shpesh për këtë, atëherë mënyra se si ekzekuton një penallti do të përmirësohet”, tha Luis Enrique. “Natyrisht që nuk mund të stërviteni për presionin dhe tensionin. Por është e menaxhueshme. Ju mund ta përballoni atë presion”.
Sulmuesi i krahut, Ferran Torres, realizoi penallti për Spanjën në fitoren 7:0 ndaj Kosta-Rikës në hapje të turneut në Katarit. Portieri i Spanjës, Unai Simon, priti dy penallti në fitoren ndaj Zvicrës, para humbjes ndaj Italisë në “Euro 2020”.
“Po ashtu edhe portierët janë gati. E keni parë këtë në seancat tona stërvitore”, tha Enrique. “Janë detyra shtëpie që i kemi marrë parasysh për çdo rast”.
Maroku ka qenë një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori, duke përfunduar i pari në një grup të vështirë. Maroku doli para nënkampiones së vitit 2018, Kroacisë dhe gjysmëfinalistes, Belgjikës. Kanadaja përfundoi në pozitën e fundit në Grupin F.
Maroku pranoi vetëm një gol në tri ndeshjet në grup dhe ka mbështetje të madhe në Katar, si i fundit nga katër ekipet arabe që mbeti në garë. Tani është edhe ekipi i fundit afrikan, pasi Senegali u eliminua nga Anglia të dielën.
“Të gjithë duan të vijnë në Doha”, tha trajneri i Marokut, Walid Regragui, i cili mori drejtimin e ekipit në muajin gusht. “Ne mund të mbushim dy stadiume këtu në Katar. Do të përballemi me një kundërshtar të vështirë, i cili është favorit për ta fituar Botërorin. Nëse e eliminojmë Spanjën, atëherë nuk do ta befasojmë vetëm vendin tonë, por edhe veten”.
Si fqinj që janë, ka shumë lidhje midis Marokut dhe Spanjës. Portieri i Marokut, Yassine Bounou dhe sulmuesi Youssef En-Nesyri luajnë në Spanjë për skuadrën e Sevillas. Mbrojtësi i djathtë, Achraf Hakimi, lojtar i Paris Saint-Germainit, ka lindur në Madrid.
Regragui luajti në Spanjë me Racing Santander. Shumë nga lojtarët e Marokut flasin spanjisht dhe stafi mjekësor i ekipit është spanjoll.
“Maroku është një vend me të cilin ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer”, tha Luis Enrique. “Kjo përballje do të jetë një festival futbolli”.
Kjo nuk është përballja e parë e këtyre dy skuadrave në Kupën e Botës. Spanja u takua me Marokun në ndeshjen e fundit të grupeve në Botërorin e vitit 2018, e cila përfundoi me rezultatin 2:2. Te Maroku kanë insistuar se e njohin mirë Spanjën dhe janë të gatshëm për ta përballuar presionin e saj në fushë.
“Spanjollët luajnë një lojë posedimi, e cila është shumë e vështirë për kundërshtarin, por edhe për njerëzit që e shikojnë. Ata bëjnë presion derisa lojtarët kundërshtarë të lodhen. Por ne jemi gati për këtë duel të vështirë”, tha trajneri i Marokut, Regragui.
Për frymëzim, Maroku po e merr shembull Përfaqësuesen e Japonisë. Japonia e mposhti Spanjën 2:1 në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve, edhe pse kishte vetëm 17 për qind posedim të topit.
“Duhet të kemi një kokë të fortë. Ne duhet të pranojmë se ata do të luajnë një lojë posedimi”, tha Regragui. “Spanja nuk do të dijë çfarë të bëjë me gjithë atë posedim të topit – ky është plani ynë”.
Fituesi i këtij dueli në çerekfinale do të përballet me Portugalinë ose Zvicrën, për një vend në gjysmëfinale të Botërorit të Katarit.