Pesë shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat që nga viti 2008 refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, kanë filluar t’i japin shenjat e para të ndërrimit të qëndrimeve.
Ditë më parë Greqia njoftoi se do ta rrisë nivelin e marrëdhënieve me Kosovën, deri sa këtë javë Kosovën e viziton Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë.
Por, edhe një shtet tjetër duket se ka ndërruar qëndrim.
Spanja, e cila konsiderohet si shteti më rigjid ndaj pavarësisë së Kosovës, shumë shpejt pritet të hapë një zyre ndërlidhëse në Prishtinë.
Demokracia.com nga burime diplomatike në Bruksel ka mësuar se Spanja tashmë ka vendosur ta hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë.
“Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Joseph Borrell, tash përgjegjës për Politikën e Jashtme të BE-së, ka luajtur rol përcaktues në këtë hap”, ka thënë një diplomat i mirëinformuar për Demokracia.com.
Zyra ndërlidhëse e Spanjës, njëjtë sikur zyra ruse dhe ajo kineze do të hapet në UNMIK, por duke i informuar edhe institucionet e Kosovës për ekzistimin e saj.
Mësohet se Borell po e garanton hapjen e zyrës spanjolle në këmbim të konstruktivitetit të kryeministrit Kurti dhe si shenjë që pesë vendet anëtare mosnjohëse të BE-së mund ta njohin Kosovën nëse ndodhë nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ditëve të fundit është përfolur plani francez, i cili parasheh të drejta më të mëdha për serbët në veri, jetësimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe të drejta shtesë për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, në shkëmbim të liberalizimit të vizave dhe njohjes nga pesë shtetet e BE-së.
Brenda kësaj marrëveshjeje, e cila po përflitet në qarqet diplomatike, nuk do të jetë edhe njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.