Gjykata Speciale nuk e ka komentuar, hapjen e arkivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çështje kjo për të cilën, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ditë më parë tha se në Bruksel, janë dakorduar me palën serbe.
Klani ka pyetur në Dhomat e Specializuara, se si do të afektonte procesin e gjykimit të ish-eprorëve, hapja e këtyre arkivave të UÇK-së, megjitatë nga ta janë shprehur se nuk ndërhyrjnë në këtë proces.
Kjo sipas tyre meqë këto janë çështje që kanë të bëjnë me procesin e hetimit ndaj nuk e diskutojnë.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, gjenden në Hagë pas aktakuzave të ngritura mbi pretendimet për krime kundër njerëzimit.
Ndërkaq deklaratat për hapjen e arkivave të UÇK-së, të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, nuk i kanë mirëpritur partitë opozitare.
Nga AAK ditë më parë u tha se Besnik Bislimi duhet të kërkojë falje për këto deklarime, pasi sipas tyre deklarimet e tilla për hapjen e arkivave të UÇK-së, është gabim substancial.
Derisa nga LDK janë shprehur se për hapjen e tyre, duhet të angazhohen ekspertë profesional, kurse, PDK vlerësojnë se Qeveria Kurti, me këtë akord në Bruksel, ra në kurthin e Serbisë.