Gjashtë vite pas themelimit, Gjykata Speciale ende nuk ka mbajtur asnjë seance gjyqësorë për të akuzuarit për kryerjen e krimeve në Kosovë midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.
Specialja në paraburgim vazhdon të mbajë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ku tashmë ka ngritur aktakuzat e para në mesin e të cilëve janë edhe ato kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimit.
Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) është e mendimit se Gjykata Speciale është themeluar politikisht dhe nga kjo organizatë deklarojnë se do të kundërshtojnë veprimet e kësaj gjykate.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinaku në një intervistë për Telegrafin thotë se, Specialja nuk është duke ndjekur krimet e luftës, por pjesëtarët e ish-UÇK-së, përcjellë Gazeta Enigma.
“Absurditet që edhe pas gjashtë viteve nuk ka asnjë seancë që ka filluar gjykimi i dikujt atje. Ju e dini që edhe kur kaluan pesë vite nuk kishin paraqitur as aktakuza ndaj dikujt. Ne e kemi konsideruar që kjo Gjykatë është themeluar politikisht, ashtu siç ka dështuar UNMIK-u dhe EULEX-i, ashtu do të dështojë edhe Gjykata Speciale, sepse UÇK nuk ka bërë krime dhe kjo gjykatë nuk është duke ndjekur krimet e luftës por është duke ndjekur vetëm pjesëtarët e UÇK-së, sepse po t’i ndiqte krimet e luftës ka pasur se çfarë të ndjek, sepse ata [serbët] kanë bërë krime dhe masakra në Kosovë dhe nuk i ndjek askush”, është shprehur ai.
Sipas Klinakut, Specialja po bënë stërzgjatjen e seancave vetëm për qëllime të tyre financiare.
“Ju e keni parë stërzgjatjen e seancave të atyre që gjenden në paraburgim, i kanë stërzgjatur qëllimisht sepse atyre iu duhen paga të majme dhe arsyetimi i stërzgjatjes së këtyre seancave është vetëm që t’i arsyetojnë milionët që taksapaguesit e BE-së dhe të Kosovës japin për këtë Gjykatë. Pra, kjo është vetëm për qëllime të tyre financiare”, pohoi ai.
Klinaku gjatë intervistës foli edhe për refuzimin e vizitave për familjarët e Hysni Gucatit, të cilët kishin pasur të shkonin në vizitë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
“Ne e dimë që për vizitë atje ka shkuar vetëm vajza e Jakup Krasniqit, dhe ashtu siç ia kanë refuzuar qëllimisht vizitën familjarëve të Hysni Gucatit, ashtu konsiderojmë që do të ia refuzojnë të gjithëve atyre që janë shtetas të Kosovës dhe ju duhen viza. Është e turpshme që i konsiderojnë familjarët e të burgosurve sikur qytetarët tjerë që duhet të paraqesin edhe dëshmi financiare për të marrë vizë në shtetin holandez. Refuzimi është politikisht, sepse në ligjin e kësaj Gjykatë, dhe lejet që janë dhënë për vizita, nuk do të kishte nevojë të kërkohej dëshmia financiare, pasi që pagesat i bënë Ministria e Drejtësisë”, potencoi ai.
U.d i kryetarit bëri të ditur se është në kontakte të vazhdueshme me të paraburgosurit në Hagë.
“Kontakte kemi kur thërrasin në telefon, vazhdimisht na kanë thirr që kur janë atje, Hysni Gucati dhe Nasmi Haradinaj. Kurse familjarët flasin përmes Zoom dhe platformave të video-lidhjes. Bisedën e fundit e kam pasur me Hysni Gucatin, pasi që më ka thirrur atë ditë kur kemi pasur konferencë që janë refuzuar vizat e familjarëve të tij”, tha mes tjerash ai.
Klinaku tha se OVL-UÇK gjithmonë ka kundërshtuar dhe do të kundërshtojë veprimet e Gjykatës Speciale.
“Veprimet e kësaj Gjykate ne i kemi kundërshtuar prej fillimit të themelimit të saj, ne kemi kërkuar që të ndryshohet ligji për të, për ta dërguar në Kushtetuese këtë. Ne e kundërshtojmë dhe do ta kundërshtojmë sepse nuk i ndjek krimet e luftës”, deklaroi Klinaku.