Spiropali në Ministerialin e OSBE: Siguria në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur

Spiropali në Ministerialin e OSBE: Siguria në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur

Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nuk është vetëm një akt drejtësie, por kusht themelor për sigurinë dhe përparimin e qëndrueshëm të të gjithë Ballkanit. Ky ishte mesazhi që Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, përcolli gjatë punimeve të Ministerialit të 32-të të OSBE-së, që po zhvillohet në Vjenë të Austrisë.

“Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe Sovran.”, theksoi Spiropali.

Në fjalën e saj para homologëve, kryediplomatja shqiptare u ndal gjatë tek sfidat e sigurisë globale dhe rajonale, duke lidhur stabilitetin e Evropës Juglindore drejtpërdrejt me realitetin e pakthyeshëm të shtetit të Kosovës.

Përveç çështjes rajonale, Spiropali rikonfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë në krah të Ukrainës dhe Perëndimit. Ajo dënoi agresionin rus, duke theksuar se Tirana zyrtare mbetet e angazhuar për mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar dhe dinjitetit njerëzor.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale pas takimit, Ministrja Spiropali nënvizoi: “Në Ministerialin e OSBE-së, rikonfirmova mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë, llogaridhënien dhe dinjitetin njerëzor, përballë agresionit rus në Ukrainë. Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Evropë, vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore.”, shkruan Spiropali në rrjetet sociale.

Related Articles