Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë i gatshëm në vjeshtë për ndeshje, në “Zahir Pajaziti” priten të luhen ndeshjet e klubeve dhe kombëtarëve

Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë i gatshëm në vjeshtë për ndeshje, në “Zahir Pajaziti” priten të luhen ndeshjet e klubeve dhe kombëtarëve

Një inspektor i UEFA-s ka qëndruar për më shumë se tre orë në Podujevë, me ç’rast ka inspektuar fushën e stadiumit “Zahir Pajaziti”.

Stadiumi në Podujevë pritet të jetë shtëpia e klubeve pjesëmarrëse të Kosovës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës. Po ashtu ndeshje në stadiumin e Podujevës pritet të zhvillojë edhe Përfaqësuesja A për futbolliste dhe grupmoshat e reja të Kosovës.

“Zahir Pajaziti” pritet të jetë stadiumi i vetëm që plotëson kriteret minimale për ndeshje të fazave të para kualifikuese për klube dhe përfaqësuese.

“Ka përfunduar inspektimi i fushës. Për më shumë se tre orë ka qëndruar një inspektor dhe ka inspektuar fushën me pajisje të UEFA-s. Inspektori është larguar me përshtypjet më të mira për fushën. Ka thënë se as në Evropë nuk ka një të tillë. Bari është i nivelit të lartë. Është punuar shumë mirë. Edhe ne e kemi ruajtur mirë. Është kosto e lartë për mirëmbajtje. E kam rritur stafin e mirëmbajtësve dhe besoj se do t’i përballoj të gjitha ndeshjet”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Në ditët në vijim do të ketë edhe inspektim të objektit.

Në stadiumin “Zahir Pajaziti” tashmë janë zhvilluar ndeshje kualifikuese të grupmoshave.

Stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë gati gjatë verës, por do të lëshohet për shfrytëzim në vjeshtë.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, thotë se gjasat janë që fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” të mos shkelet deri para ndeshjeve të Kosovës.

“Ne luajmë në qershor me Norvegjinë jashtë. Në qershor do të kemi edhe ndeshje tjetër dhe bari sigurisht se do të përfundojë deri në atë kohë, por ndeshje miqësore nuk besoj se do të ketë, sepse e përgatisim dhe e lëmë të forcohet bari për ndeshje zyrtare ndërkombëtare. Besoj se edhe stadiumi ‘Zahir Pajaziti’ do të jetë nikoqir i disa ndeshjeve ndërkombëtare në fazën e parë, klube dhe kategori të reja”, ka thënë Ademi për kohën.

Përfaqësuesja e Kosovës më 6 shtator e nis në Prishtinë edicionin e ri të Ligës së Kombeve. Ndeshjen e parë e ka ndaj Rumanisë.

Kualifikimet e fazës së parë të Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës nisin në korrik, ndërsa futbollistet e Përfaqësueses A të Kosovës do ta zhvillojnë ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2025” më 9 prill kundër Uellsit. Më 31 maj luan sërish në Kosovë kundër Kroacisë, ndërsa më 12 korrik e pret Ukrainën.

Punët në ndërrimin e barit kanë nisur. Të enjten është hequr në tërësi bari i stadiumit “Fadil Vokrri”. Fusha e “Fadil Vokrrit” është në dhe.

Më 24 nëntor stadiumi ishte mbyllur për shkak të gjendjes shumë të keqe të fushës. Fusha ishte dëmtuar për shkak të ngarkesës së madhe dhe mirëmbajtjes jo të duhur. Ka pasur shumë kritika për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”. Madje një lojtar i Izraelit e kishte krahasuar me stallë derrash.

Në fund të nëntorit UEFA nuk e kishte lejuar Ballkanin që të luante në Prishtinë, në kuadër të Ligës së Konferencës. Dhe më pas stadiumi u mbyll.

Pos ekipeve përfaqësuese, stadiumi shfrytëzohet për ndeshje edhe nga klubi Prishtina. Prej vjeshtës Prishtina si vendase është detyruar të luajë në Lipjan. Prishtina do të kthehet në stadiumin e qytetit vetëm në edicionin e ardhshëm.

Sipas punëkryerësit, fusha pritet të jetë gati për ndeshje futbolli më 6 korrik të këtij viti.

Related Articles