Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka thënë se qëndrimi i BE-së për Urën e Ibrit nuk ka ndryshuar.
Stano ka ritheksuar se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë për urën në fjalë lidhur me këshillat e aleatëve perëndimor.
“Qëndrimi i BE-së në lidhje me urën ka qenë shumë i qartë në ditët dhe javët e kaluara, dhe u është komunikuar edhe me partnerët në Prishtinë, dhe është diskutuar gjerësisht me të gjithë partnerët e tjerë brenda BE-së, me NATO-n dhe KFOR-in, si dhe qëndrimi i BE-së nuk ka ndryshuar”.
“Nuk ka asgjë të re për të shtuar, vetëm mund të ritheksoj se diskutimet dhe ndërveprimet lidhur me këtë çështje vazhdojnë, dhe janë në linjë me qëndrimet e Bashkimit Evropian, që hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar duhet të shmangen dhe kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut”. “Ky është qëndrimi i të gjithë partnerëve dhe aleatëve të Kosovës, dhe autoritetet e Kosovës do t’i bënin një shërbim shumë të mirë vetes dhe popullit të tyre, nëse do të dëgjonin mesazhet e partnerëve dhe aleatëve”, ka thënë Stano.
Këto deklarime ai i ka bërë në një konferencë për media./Gazeta Enigma