Stoltenberg kundër ideve për ndryshim të kufijve: Janë të rrezikshme për rajonin

Stoltenberg kundër ideve për ndryshim të kufijve: Janë të rrezikshme për rajonin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg, ka thënë se nuk e ka parë dokumentin e ashtuquajtur ‘non-paper’, në të cilin flitet për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

Stoltenberg theksoi se nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e ka parë dhe se sipas tij spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri për stabilitetin e rajonit.

“Nuk mund të komentoj rreth një dokumenti që nuk e kam parë. Spekulimet rreth ndryshimit të kufijve shkaktojnë pasiguri dhe rrezik për stabilitetin e rajonit. Çdo spekulim në lidhje me këtë është i padobishëm. Për NATO-n e rëndësishme është siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e rajonit dhe të Evropës. NATO mbështet stabilitetin e rajonit në mënyra të ndryshme”, tha Stoltenberg.

Sipas tij, NATO do të vazhdojë të punojë për stabilitetin me anëtarët dhe partnerët në rajon.

“Respektimi i dialogut konstruktiv dhe i kufijve të njohur ndërkombëtarisht është rruga më e mirë për sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon”, theksoi Stoltenberg.

/Gazeta Enigma/

Related Articles