Studentët e muzikës në “Haxhi Zeka” renditen të tretët në garat për kitarë në Bullgari

Studentët e muzikës në “Haxhi Zeka” renditen të tretët në garat për kitarë në Bullgari

Studentët e Fakultetit të Arteve, drejtimi i muzikës, të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, janë renditur të tretët në garat Ndërkombëtare për Kitarë Klasike në Bullgari.



Në njoftimin e tyre thuhet se profesori Xhevdet Sahatxhija, me asistim të Gjulian Bytyqit i përgatitën studentët e UHZ-së për këto gara.

“Falë përkushtimit, dëshirës së zjarrtë për avancimin e muzikës në Kosovë e më gjerë, dashurisë për rininë kosovare dhe këmbënguljes për të qenë prezent gjithmonë në vendin tonë, qoftë nëpërmjet Festivalit të Kitarës si organizator i saj në qytetin e Pejës, qoftë si profesor në universitetin “Haxhi Zeka”, me të cilin ky institucion gjithmonë krenohet, këtë herë profesor Xhevdet Sahatxhija solli në qytetin tonë një çmim prestigjioz me të cilin na bënë krenarë jo vetëm UHZ-së por edhe Pejën e mbarë Kosovën”.

“Profesori Sahatxhija, me asistim të Gjulian Bytyqit përgatitën studentët e UHZ-së për garat e XXVI Ndërkombëtare për Kitarë Klasike e cila u mbajt në Kyuestendil të Bullgarisë nga data 6-8 prill 2023. Universiteti u përfaqësua nga studentët Redon Hajdari, Blina Nushi, Lind Rudi dhe Sidrit Hamiti, të cilët fituan vendin e tretë në kategorinë e muzikës së dhomës duke garur me të rinj nga Bulgaria, Serbia, Republika e Maqedonisë së Veriut, Ukraina, Republika Ceke dhe Franca. Juria në këtë garë ishte e përbërë nga emra të mirënjohur të fushës së muzikës nga 12 shtete evropiane”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se në këtë garë e cila organizohet çdo vit në Kyuestendil të Bullgarisë, morën pjesë tetë formacione muzikore.

“Në këtë garë morën pjesë tetë formacione muzikore dhe ajo që vlen të ceket është se të rinjtë nga UHZ, të përgatitur nga Profesor Sahatxhija dhe asistent Bytyqi, marrin pjesë për herë të parë në gara ndërkombëtare. Gara Ndërkombëtare për Kitarë Klasike organizohet çdo vit në Kyuestendil të Bullgarisë. Universiteti “Haxhi Zeka” u është mirënjohës studentëve dhe i përgëzon ata për çmimin e fituar dhe njëkohësisht shumë falënderues ndaj përkushtimit dhe vullnetit të profesor Xhevdet Sahatxhija meritat e të cilit janë një vlerë e lartë për universitetin “Haxhi Zeka”, Pejën dhe Kosovën”, thuhet tutje në njoftim.

Related Articles