Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar në lidhje me subvencionimin me nga 70 euro për secilën familje të Prishtinës që kanë fëmijë nga 9 muaj deri në 6 vjeç për regjistrim në çerdhet private, të hyrat mujore të të cilave janë nën 500 euro.
Ao këtë e ka quajtur si lajm të mirë, për të cilin siç u shpreh ai, duket të jemi krenarë të gjithë.
“Asnjë fëmijë s’duhet të lihet anash! Nga 70 euro subvencionim për secilën familje të Prishtinës që kanë fëmijë nga 9 muaj deri në 6 vjeç për regjistrim në çerdhet private, të hyrat mujore të të cilave janë nën 500 euro”.
“Ky është vendimi i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, udhëhequr nga Besianë Musmurati. Një lajm tejet i mirë, për të cilin jemi krenarë të gjithë, posaçërisht në këtë periudhë të vështirë të keqmenaxhimit të sektorit të arsimit nga Qeveria”, ka shkruar ai.
Ai është shprehur se ky është vizioni për të ndihmuar familjet kosovare në, siç u shpreh ai, edukimin e hershëm të fëmijëve.
“Ky është vizioni ynë për të ndihmuar familjet kosovare në edukimin e hershëm të fëmijëve. Përmes kësaj politike, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm, do të shtohet pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje të kryeqytetit”.
“Prishtina, me angazhimin tonë, nuk do të mbetet qyteti i vetëm i cili përfiton nga kjo politikë mbështetëse dhe lehtësuese për familjet kosovare. Në të ardhmen, do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo formë të aplikohet edhe në të gjitha komunat e tjera të Kosovës”, ka shkruar tutje Krasniqi.