Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS), ka qenë cak i sulmeve kibernetike me ‘ransomware’. Këto sulme po konsiderohen si më të rrezikshmet, meqë sulmuesit kanë një kopje të të dhënave të qytetarëve.
Edhe në rastin e BKS-së po vlerësohet se të dhënat e klientëve janë të rrezikuara dhe se ky institucion duhet të njoftojë se për cilën kategori të të dhënave, qytetarët duhet të ndërmarrin masa.
Drejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, Mentor Hoxhaj thotë se çdo ditë ka viktima të sulmeve të shumta kibernetike.
“Kryesisht sulmet të cilat janë më të suksesshmet dhe më të rrezikshmet janë sulmet me ‘ransomware’. Realisht në këtë rast tek ‘ransomware’ kemi infektim të të dhënave të cilat enkriptohen”, deklaron ai.
Pas sulmeve me ‘ronsomware’, Hoxhaj shton se të dhënat janë në duart e keqbërësve.
Sipas tij, pasojat janë të mëdha, përfshirë edhe ato financiare nga keqpërdorimi i të dhënave bankare.
Drejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë vlerëson se Byroja Kosovare e Sigurimit duhet të tregojë se cilat të dhëna janë të rrezikuara, njofton KP.
Sipas Hoxhajt, sulmet me ‘ransomware’ janë të shpeshta në pesë vitet e fundit, ku një kopje e të dhënave është në dorën e sulmuesve.