Sulmi në Ibër-Lepenc: Arrestohen 8 persona, konfiskohen armë dhe uniforma

Sulmi në Ibër-Lepenc: Arrestohen 8 persona, konfiskohen armë dhe uniforma

Gjatë një operacioni policor në zonën e veriut të Kosovës, pas një incidenti të rëndë të ndodhur në afërsi të Ibër-Lepencit, autoritetet arrestuan tetë persona të dyshuar dhe konfiskuan armë të shumta, municione dhe uniforma ushtarake, raporton Gazeta “Enigma”.

Sulmi, i cilësuar si një akt i rëndë kriminal, ka nxitur reagime të shumta nga liderët vendas dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë dënuar ashpër ngjarjen dhe kanë shprehur mbështetje për institucionet kosovare në vendosjen e rendit dhe ligjit.

Lidhur me të arrestuarit, Ministri Xhelal Sveçla tha se s’do të bëhen publik emrat për shkak të hetimeve intensive që po bëhen.

Ai tha se “këto sulme janë të dirigjuara nga Serbia dhe për këtë mbajmë përgjegjës Beogradin zyrtar”.

Te premten e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim i fuqishëm ku dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Sipas Ministrit Sveçla nga vendi ku ndodhi shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc, ai tha se sipas ekspertëve është përdorur diku rreth 15 kilogramë eksploziv, ndërsa e quajti “akt terrorist”.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha bëri të ditur se gjatë bastisjeve ditën e djeshme kanë konfiskuar mbi 200 uniforma ushtarake, 6 zolla, 3 granata dore, 2 armë AK47, 1 revole, municion të kalibrave të ndryshëm, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, para dhe pajisje të tjera.

I menjëhershëm qe reagimi i ShBA-së. Ambasadori i amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se ShBA-ja po e monitoron situatën nga afër dhe kanë ofruar mbështetjen e tyre për të siguruar që ata që janë përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian e ka cilësuar si sulm “terrorist” dhe akt “sabotimi” sulmin në kanalin ujor të Ibër-Lepencit, i cili rrezikoi furnizimin me ujë dhe energji elektrike për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

Në një deklaratë të Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Bashkimi Evropian ka dënuar këtë sulm, teksa ka ofruar mbështetje për autoritetet e Kosovës.

Per sulmin në Ibër-Lepenc, KFOR ka thënë se dënon ashpër dhe shtoi se është e rëndësishme që të faktet të vërtetohen dhe që ata që e kryen sulmin të mbahen përgjegjës.

Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur sulm terrorist atakimin e infrastrukturës jetike të Republikës së Kosovës.

Ajo ka thënë se bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës. Për këtë sipas presidentes ndihmë kanë ofruar edhe partnerët ndërkombëtar.

Ndërsa Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se terroristët do të përballen me fuqinë e ligjit të Republikës.

Ai të shtunën tha se ky është sulmi i tretë dhe janë kryer nga profesionistë.

“Unë e pash vendin e ngjarjes dhe nuk ka mundësi që të bëjë një ose dy individë, ose qytetarët të zakonshëm. E ka bërë një organizatë që është profesioniste në sulmet e tilla terroriste dhe aftësinë, kapacitetin e interesin për një gjë të tillë e ka vetëm Serbia”, ka deklaruar dje Kurti.

Related Articles