Superliga e zjarrtë, sot luhen dy derbi

Superliga e zjarrtë, sot luhen dy derbi

Albi Mall Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshjet e radhës në kuadër të xhiros së 24-të.

Dita e sotme sjell dy super sfida, ku luhet për titullin dhe Evropën në Suharekë dhe Gjilan.

Vëmendja kryesore e adhuruesve të futbollit kosovar është në Suharekë, ku lideri aktual Ballkani është nikoqir i Dritës.

Kampioni në fuqi i Kosovës është vetëm dy pikë para në tabelë dhe kjo ndeshje do të thotë shumë për dy skuadrat.

Në dy sfidat e para të këtij edicioni, bilanc më të mirë ka Drita me një fitore 0-2 dhe barazim në Gjilan 2-2.

Ky super derbi do të gjykohet nga gjyqtari me stemë të FIFA-s, Genc Nuza së bashku me asistentët e tij Lumturije Muhadri dhe Granit Hyseni, derisa në VAR do të jenë Erdal Zasella dhe Kastriot Peci.

Duel i zjarrtë për Evropën zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, ku Gjilani është nikoqir i Prishtinës.

Vendasit janë në pozitën e tretë me shtatë pikë më shumë se Prishtina dhe pritet një duel tejet interesant.

Si për bardhkuqët ashtu edhe për bardhekaltërtit në këtë sfidë vlen vetëm fitorja. Të dyja duelet e ditës së sotme në Albi Mall Superligë fillojnë nga ora 13:00.

Related Articles