Pasi që Milan Radoiçiqi ka pranuar se ka marrë pjesë në sulmet ndaj policisë së Kosovës në Banjskë, ka reaguar publicisti Veton Surroi.
Sipas tij pranimi nga ana e Radoiçiqit se ai ka marrë pjesë në këtë sulm, është një test i ri për ndërkombëtarët.
Surroi ka thënë se brenda procesit të normalizimit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, Serbia do të duhej t’ua dorëzonte autoriteteve të Kosovës Radoiçiqin, për krimet e kryera brenda juridiksionit të saj.
“Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. Brenda procesit të normalizimit të udhëhequr nga BE-ja do të pritej që autoritetet e Republikës së Serbisë t’ua dorëzonin atë autoriteteve të Republikës së Kosovës, për krimet e kryera brenda juridiksionit të saj. Një test i ri për Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar Surroi në rrjetin social X.