Që nga 22 dhjetori kur edhe ka filluar aksioni “Brezovica”, është raportuar që një prej aksionarëve të kompanisë “Stella Consulting”, për të cilën kompani Prokuroria Themelore në Ferizaj pretendon se ka dhënë ryshfet në këmbim të lejeve ndërtimore, është edhe publicisti Veton Surroi.
E, ndaj kësaj sot përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka reaguar vet Surroi duke thënë se kjo kompani nuk është marrë as me leje, as me ndërtim e as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit. / Gazeta “Enigma”.
Postimi i tij i plotë:
Përgjigje ndaj një fushate
Për hir të sqarimit miqve të mi që janë trazuar nga fushata që po zhvillohet ndaj meje, po i shkruaj këto pak rreshta.
- Prej datës 22 dhjetor të vitit të kaluar janë botuar me dhjeta shkrime në disa portale duke më akuzuar për përfshirje në korrupsion në rastin “Brezovica” . As edhe një herë as njëri prej portaleve-prej atyre që profesion e kanë baltosjen deri te ato që e quajnë veten pjesë të gazetarisë hulumtuese-NUK kanë kërkuar informatë apo koment nga unë. Kjo është shkelje bazike e etikës profesionale.
- “Stella consulting”, aksionar i së cilës jam NUK është marrë as me leje, as me ndërtim e as me çfarëdo akti tjetër ekzekutiv të projektit. “Stella consulting” , si investim i huaj me aksionar mazhoritar z.Gentian Sulon (mik imi dhe afarist i respektuar i Shqipërisë) , i ka kontraktuar të gjitha veprimet e veta ekzekutive nëpërmjet një kontrate të pergjithshme me sistemin ” çelësa në dorë” përfshirë konsulencën paraprake tekniko-ligjore me një kompani tjetër të përzgjedhur në mënyrë të ligjshme midis disa kompanive dhe ka paguar çdo detyrim të ardhur nga kjo kontratë në mënyrë plotësisht të ligjshme dhe duke respektuar ligjet dhe rregullat e Republikës së Kosovës. Çdo dokumentacion ligjor para dhe pas fillimit të ndërtimit deri në mbarimin e veprës është realizuar nga kjo kompani, duke përjashtuar në këtë materje nga çdo përgjegjësi juridike “Stella consulting”.
- Portalet e këtilla nuk ndiejnë përgjegjësi profesionale e as juridike për veprimet e veta. Sivjet bëhen NËNTË vjet prej kur është ngritur padia për shpifje kundër një portali. Gjykata në shkallë të parë pas PESË vjetësh konstatoi se portali dhe përgjegjësit e tij kanë shpifur kundër meje dhe u është caktuar dënimi me të holla. Prej atëherë kanë kaluar KATËR vjet dhe lënda pret për t’u shqyrtuar në Gjykatën e apelit.