Personat që mbrëmbjen e së shtunës organizuan gara ilegale me vetura duke shkakruar aksidentin fatal që ua mori jetën tre të rinjve në magjistralen “Ibrahim Rugova”, e kishin bërë të njëjtën gjë edhe më herët.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha në një konferencë për media se pas këtij aksidenti, ka biseduar me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxhën për “masat që duhet të ndërmerren, sidomos nga Policia e Kosovës në raport me organizimin e garave automobilistike të jashtëligjshme” dhe “për veprimet e ndërmarra nga Policia për rritjen e sigurisë në trafik”. Ai tha se drejtori i Policisë ka marrë masa “idhur me neglizhencën e zyrtarëve policorë në trajtimin me prioritet të organizimit të garave të paligjshme”.
“Policia e Kosovës, të njëjtit grup ia kishte parandaluar dy herë organizimin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në media, të njëjtit kanë pasur gjoba të njëpasnjëshme nga Policia e Kosovës për tejkalim shpejtësie dhe rrezikim në komunikacion, ndërsa njërit prej tyre i është konfiskuar patent-shoferi për tejkalim shpejtësie dhe filmim e publikim i këtyre garave”, tha Sveçla.
Këtë vit, ministri tha se 104 qytetarë kanë humbur jetën në aksidente, ndërsa Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike.
Në mesin e masave të ndërmarra për parandalimin e përsëritjeve të këtyre aksidenteve, Sveçla tha se “zyrtarët e trafikut janë pajisur me kamera trupore” dhe se janë futur në funksion “vetura me pajisje inteligjente për evidentimin elektronik të shkeljeve në komunikacion”.