Kryetari i Grupit parlamentar nga Alenca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se AAK i ka dërguar komentet e tyre në Zyrën e Rregullatorit për Energjinë Elektrike edhe në email, por edhe përmës postës, shkruan Gazeta Enigma.
“Diskutimi apo çështja që e ngriti kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së rreth komenteve të AAK-së sa i përket shtrenjtimit të energjisë elektrike, dua të ritheksoj se në komentet tona i kemi dërguar me kohë, në email të ZRrE-së dhe përmes postës në hard copy”, ka deklaruar Tahiri.
Tahiri po ashtu ka thënë se si grup parlamentar do të kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për të sjellë në diskutim ngritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Si grup parlamentar do të kërkojmë seancë të jashtëzakonshme shpresoj me mbledhje të nënshkrimeve për me kthy edhe njëherë një diskutim me 40 nënshkrime temën e ngritjes së çmimit të energjisë elektrike”, ka shtuar Tahiri.
Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.
Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.
Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovat, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.
Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.
Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.