Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se duhet ta sqarojmë BE-në që sistemi ETIAS-i nuk duhet të kthehet dhe as të shërbejë si kusht politik.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se lidhur me këtë kusht, institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i drejtohen zyrtarisht përmes një deklarate Presidencës Çeke, duke i treguar se Kosova i ka përmbushur kushtet dhe se edhe pas liberalizimit zotohet se do t’i zbatojë të gjitha kushtet dhe standardet të cilat do të vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Tahiri ka thënë se do t’i propozojë kryetarit Glauk Konjufca, që t’i drejtohet me shkresë homologut të tij çek dhe francez, si dhe institucioneve respektive të BE-së rreth kësaj situate diskriminuese.
Postimi i tij i plotë:
Ta sqarojmë me BE-në
ETIAS-i nuk duhet të kthehet dhe as të shërbejë si kusht politik.
Në lidhje me diskutimin e sistemit ETIAS, si një lloj kushti në dukje teknik nga ana e BE-së, institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i drejtohen zyrtarisht përmes një deklarate Presidencës Çeke, se në këtë proces:
1.Kosova ka përmbushur kushte më shumë se vendet e rajonit;
2.Se edhe pas liberalizimit zotohet se do t’i zbatojë të gjitha kushtet dhe standardet të cilat do të vlejnë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Duke konkluduar se nëse vazhdon qasja asimetrike e BE-së dhe vendeve anëtare ndaj Kosovës, kjo mund t’i shërbejë këtij procesi teknik, por njëkohësisht është goditje mbi optimizmin dhe kredibilitetin e procesit evropian në mesin e qytetarëve të Kosovës. Sepse opinioni i gjerë konsideron se zvarritja e liberalizimit është krejtësisht politizues.
Do t’i propozoj Kryetarit Konjufca, që t’i drejtohet me shkresë homologut të tij çekë, dhe francezë si dhe institucioneve respektive të BE-së rreth kësaj situate diskriminuese.
Përndryshe, për ata që nuk kanë njohuri, ETIAS është:
– ETIAS do të thotë Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit. Bashkimi Evropian e ka krijuar këtë program për të mbrojtur dhe forcuar kufijtë e tij.