Kryetari i komunë së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për sa i përket çështjes së vaksinave kundër COVID-19, duke theksuar se janë vonuar shumë në sigurimin e tyre.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që të angazhohen më shumë në sigurimin e dozave të mjaftueshme të vaksinave anti COVID, dhe t’i nënshkruajnë kontratat me kompanitë farmaceutike.
“Unë mendoj që ne jemi vonuar shumë me sigurim të vaksinave, interesimi i qytetarëve është shumë i madh dhe kërkesa e tyre për vaksinim është shumë e madhe, ne si komuna po bëjmë të pamundurën me stafin tonë që t’i kryejmë në kohë procesin e vaksinimit, ju keni parë në Vushtrri një rregull të jashtëzakonshëm gjatë procesit të vaksinimit por mungesa e vaksinave ka bërë që të kemi fluks më të madh të njerëzve dhe të moshuarve nga frika se do të mbesin pa u vaksinuar dhe kjo po i shkakton tollovi”.
“Prandaj ftesa ime si kryetar komune në emër të të gjithë të moshuarve është ju lutemi siguroni sa më shumë vaksina, më shpejtë vaksinat, nënshkruani kontratat, asnjë prioritet më i madh në këtë vend, nuk është dhe çdo jetë e humbur ju them që është tepër, në qytetin tim kemi pasur 40% gati rritje të vdekshmërisë së njerëzve në krahasim me vitet e kaluara dhe duhet të bëjmë që sa më parë të sigurohen vaksinat”, tha Tahiri.
Tutje ai tha se shumë njerëz po vijnë me u vaksinua prej frikës që nuk do ketë më vaksina dhe kjo po është maltretim për njerëzit sipas kryetarit Tahiri.
“Njerëzit po vinë me u vaksinua prej frikës që nuk ka me pasë vaksina sepse në të vërtetë nuk kemi mjaftueshëm vaksina, sikur të kishim pasur mjaftueshëm vaksina do të kishim mund të shpërndahemi edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare nëpër fshatra dhe t’i kryejmë më shpejtë procesin e vaksinimit dhe jo të kemi grumbullim e mundim të të moshuarve tonë dhe rrezikim të shëndetit të tyre duke ardhur dhe duke u munduar me marrë vaksinën”, theksoi ai.
Si përfundim Tahiri theksoi se është shumë me rëndësi që në komunën të cilin ai e udhëheq të ketë mundësinë që çdo i moshuar ta merr vaksinën dhe të mos zgjohet në mëngjes me frikë se nuk do ketë vaksina.