Grupi parlamentar i AAK-së ka kërkuar interpelancë për ministrin e Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit.
Kështu ka njoftuar shefi i grupit parlamentar i kësaj partie Besnik Tahiri i cili tha se kjo kërkesë vjen pasi sipas tij, gjendja në sektorin publik dhe privat është shumë e rëndë.
Tahiri megjithatë tha se tema e grevës është shumë me rëndësi, dhe ka mbështetur debatin parlamentar të thirrur nga PDK në seancën e parë për sesionin vjeshtor.
“Duke qenë se jemi dakorduar qe tema e grevës është me rëndësi edhe për AAK, gjendja është e jashtëzakonshme dhe s’mund të sillemi zakonshëm as si kuvend, as si vend, as si shoqëri e as si qeveri. E mbështesim dhe adresojmë këtë temë”.
Tahiti tutje bëri me dije se AAK në këtë sesion vjeshtor ka disa prioritete.
“I pari është miratimi i Ligjit të Pagave dhe njëkohësisht fillimi i zbatimit të Ligjit të Pagave më 1 janar. I dyti, aspekti që ndërlidhet me energji dhe tre, sektori privat. Ekonomia, bizneset e mesme, të vogla e korporatat janë buzë falimentimit. Janë tri tema të mëdha”.