Tahiri: Ndalja e pagave për grevistët është hakmarrje politike

Tahiri: Ndalja e pagave për grevistët është hakmarrje politike

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur hakmarrje politike, mosprocesimin e pagave për sindikalistët të cilët ishin pjesë e grevës.

Kërkesat e sindikatave, Tahiri i ka cilësuar si legjitime, teksa e ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të cilin ka thënë se ka bërë presion politik vazhdimisht.

“Presioni politik jo vetëm pesë javë, ka filluar nga dita e parë, vazhdon me ndalimin e pagave, këtë çështje do ta trajtojmë në interpelancë, është hakmarrje politike ndaj një kërkese që buron nga një organizim sindikal”, ka thënë ai.

Tahiri, bëri të ditur se në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, një nga pikat e diskutimit është interpelanca ndaj Hekuran Muratit.

“Pika e parë ka të bëjë me interpelancën për Hekuran Muratin, që ndërlidhjet me vendimin arbirtrar për ndalimin e pagave, për presionin që e ka bërë në pushtetin lokal gjatë grevës dhe po ashtu në ndërhyrjen në autonominë e komunave”, ka thënë ai.

Po ashtu, në seancën e Kuvendit, pritet të diskutohet për ligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës, për zyrtarët publikë.

“Ligji i miratuar në qeveri për zyrtarë publikë, kemi një ndërhyrje flagrante që asnjëherë nuk ka ndodhë, ndërhyrje drejtpërdrejt në stafin dhe shërbimin civil, përmes cenimit të kontratave të tyre dhe përcaktimin e afateve që bie ndesh për punët që kemi bërë”, ka thënë ai.

Në fund, Tahiri është shprehur se duhet të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën, dhe po ashtu duhet të punohet për çështjen e njohjes nga pesë vendet mosnjohëse.

Related Articles