Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka bërë me dije se është rrugës për në Paris të Francës.
Ai në një postim në Facebook theksoi se si anëtar në Komitetin për barazi dhe jo-diskriminim në kuadër të Këshillit të Evropës atje do të diskutojnë çështje tematike të Komitetit si dhe do të ketë takime rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill.
“Dy momente janë me rëndësi në këto javë. Takimi që do të mbahet më 27 mars 2024 i Komisionit për Politikë dhe Demokraci. Ky takim është i jashtëzakonshëm me pikën e vetme, aplikimin e Kosovës”.
“ Raporti duhet të votohet me 1/2, pra 27 deputetë duhet të votojnë në Komitet dhe të dërgohet në seancën plenare në PACE për votim. Në Asamblenë Parlamentare kërkohen 2/3 e votave”, shkruan ai.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.
Si kusht për t’u bërë pjesë e kësaj organizate Qeveria e Kosovës më 13 mars i kërkoi Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.