Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasje të gabuar në dialog me Serbinë.
Pak ditë pas konfirmimit të takimit të radhës Kurti-Vuçiq, më 14 shtator në Bruksel, Tahiri thotë se politika e deritanishme e kryeministrit Kurti e ka kthyer Kosovën në një humbëse në këtë proces dhe të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.
Tahiri në një intervistë për KosovaPress, është skeptik se do të ketë rezultate pozitive nga ky takim, derisa flet edhe për udhëzimin administrativ që mundëson shkarkimin e kryetarëve në veri, përmes peticionit, paralajmërimet për pezullim të vendimit për heqjen e vizave dhe mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
“Qasja e deritanishme e qeverisë Kurti në dialog e ka kthyer Kosovën në humbëse dhe ka dobësuar vendin tonë në rrafshin ndërkombëtar por edhe të brendshëm. Në vend që Serbia që është vendi i vetëm në Evropë që nuk i ka vendosur masa Rusisë të sanksionohet, sot e sanksionuar është Kosova për shkak të një politike qorre, jo strategjike dhe kryesisht taktike për interesa të ngushta votuese të Lëvizjes Vetëvendosje e ka sjell Kosovën në humbëse… Kosova sot është më dobët në rrafshin ndërkombëtar. Është më e dobët në sovranitetin e vendit të vet, në rrafshin e brendshëm dhe Kosova është më e dobët në vendimmarrjen e saj. Secili vendim që është marrë prej 31 korrikut të vitit të kaluar, tablat, gjobat të gjitha janë kthyer prapa”, thotë Tahiri.
Ai konsideron si të gabuar edhe insistimin e Qeverisë së Kosovës që të shkohet në zgjedhje të parakohshme në veri vetëm përmes peticionit. Sipas tij, i njëjti ka disa problematika që mund të jenë në dëm të Kosovës në të ardhmen.
“Vakumi ligjor me peticion është shumë problematik. Kush e administron peticionin? Kush e vlerëson peticionin? Sa është numri i njerëzve që duhet të nënshkruhen në atë peticion? Apo ia jep Serbisë prapë një letër me thënë qytetarëve serbë mos e nënshkruani peticionin. Problemi në veri të Kosovës është i trashëguar, por gjatë rrugëtimit ka pasur disa aktivitete ku gjyqtarë serbë kanë nënshkruar me logo të Kosovës, policë që kanë nënshkruar kontratën me logon e Kosovës, po ashtu edhe zyrtarë komunal. Por po e shoh se Kurti ka marrë një pozicion tjetër, mirëpo në atë qasje duhet të kesh një pozicion final se deri ku ndalesh dhe ku ecë”, deklaron ai.
edhe presidenten Vjosa Osmani, e cila sipas tij, bëri një deklaratë joserioze duke iu kundërpërgjigjur presidentit francez, Emmanuel Macron për çështjen e vizave. Ai thekson se dialogun nuk mund të vret askush, pasi s’ka alternativë tjetër përveç tij.
“Deklarata e presidentit Macron është problematike. Pse duhet ai në një fjalim të tij me trajtu Kosovën e cila e ka rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit pro evropian. Ne jemi mbështetës të kauzave evropiane me një kushtetutë që i jep diskriminim pozitiv pakicave dhe një shoqëri multietnike. Pse duhet të na përmend neve ai. Në anën tjetër cili është reagimi jonë, ai është se kjo qasje e vranë dialogun. Cila është alternativa e dialogut? Kjo do të ishte pyetja ime për presidenten. Lufta? Pasi ti ose flet ose lufton. A jeni duke parë sa janë joserioz në këtë qasje”, thekson Tahiri.
Në anën tjetër, ai rendit ato që sipas tij, dëshmojnë korrupsionin në Qeverinë Kurti.
“Qeveria Kurti i ka dhënë disa tregues shumë të rëndësishëm. Ka ra miti i pastërtisë. Pse? Thuhet që janë mbi pesë ministra të hetuar për korrupsion. Rasti i Martin Berishajt është serioz, i cili është duke u hetuar dhe ndaj ankesës së të cilit ka pas refuzim prej vendeve ku është diskutu kjo temë për energji. Rasti i rezervave shtetërore është serioz, ku është paguar malli me një kontratë njëburimore, e cila qenka lidh me një mashtrues polak për të cilën janë dhënë 10 milionë euro dhe diku në vlerë 600 mijë euro, nuk ka ardh malli hiç kurrë. Për një diskutim që duhet të jetë sekret shtetëror, ka qenë ndërmjetësues një njeri që s’ka asnjë funksion publik”, shton ai.
Megjithatë, shefi i deputetëve të AAK-së, pranon se kanë ngecur sa i përket mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, për shkak se dy partitë të tjera opozitare, PDK dhe LDK, për të cilat thotë se nuk janë të interesuara për t’i dhënë nënshkrimet.
“Me thënë drejtpërdrejtë interesi i dy partive opozitare (PDK dhe LDK) nuk ka qenë me nënshkruar mocionin. Ato janë parti në veti dhe ne jemi parti të ndara. Ka qenë interesimi që me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme por jo me peticion. Tash në këtë temë në zgjedhje shkohet në dy forma. Njëra është kur jep dorëheqje kryeministri, tjetra është kur bëhen votat dhe me mocion shkohet në zgjedhje”, thotë Tahiri.
Ai është i bindur se kurdo që do të mbahen zgjedhjet, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje s’do t’i merr më kurrë 50 për qind të votave.
“Në Vetëvendosje janë duke menduar që Albini iu fiton prapë votat me i marrë 50 për qind. Ndoshta na befason edhe neve opozitën, por të dhënat, sondazhet, informatat prej tereni, tregojnë një pakënaqësi serioze me këtë qeveri. Si do të jetë qasja jonë sa do të mundemi të mobilizojmë nuk e di, por një e di që kurrë më në jetë 50 për qind. Asnjëherë, një herë i ka marrë duke thënë këta janë garda e vjetër duhet me shku në shtëpi por më nuk ndodh kurrë. Njerëzit kanë me lyp rezultate, të cilat nuk i ka kjo qeveri”, përfundon ai.