Tahiri zbulon planin e AAK-së rreth seancës për imponimin e presidentit

Tahiri zbulon planin e AAK-së rreth seancës për imponimin e presidentit

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një intervistë në emisionin Rubikon në Klan Kosova ka zbuluar për herë të parë planin që, sipas tij, kishte përgatitur AAK-ja për ta ndaluar procesin e votimit të kandidates për presidente, të Lëvizjes Vetëvendosje, në rast se procesi do të vazhdonte pa korum.

Tahiri theksoi se AAK-ja, kishte paralajmëruar se nuk do të lejonte zgjedhjen e presidentit me 60 vota.

“Po e them për herë të parë se çka ka ndodhë atë natë kur ka dalë kryeministri në konferencë për media e deklaroi se opozita janë strukë nëpër zyre. Atë natë ne e kemi pasur në plan me shku e me prish atë konferencë. Po të kish ndodhë që me shku në raundin e tretë, ai proces ish ndalë. Do të ndalej me krejt mekanizmat e mundshëm, unë personalisht me kolegët e mi ishim hi në sallë edhe e kishim ndalë”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, nëse procesi nuk do të ndalej institucionalisht, AAK-ja ishte e gatshme ta pengonte edhe fizikisht zhvillimin e seancës.

“Po të mos e kishin ndalë, ne e kishim ndalë edhe ndryshe. Ish ndalë fizikisht. Po e them këtë për shkak se njëherë e përgjithmonë duhet me pas parasysh se askush prej neve nuk është mbi ligjin, asnjë njeri në Kosovë nuk është mbi Kushtetutë. Me zgjedh president me 60 vota nuk e kishim lënë”, tha ai në Rubikon. 

Related Articles