Tarifat e Trump, mbi 50 vende të botës kërkojnë bisedime tregtare me SHBA-në

Tarifat e Trump, mbi 50 vende të botës kërkojnë bisedime tregtare me SHBA-në

Më shumë se 50 vende raportohet ta kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për të filluar bisedimet tregtare.

Kështu ka njoftuar të dielën një këshilltar i lartë ekonomik i presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Gjatë një interviste në ABC News, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA-së, Kevin Hassett ka mohuar se tarifat janë pjesë e një strategjie të Trumpit për të rrëzuar tregjet financiare për t’i bërë presion Rezervës Federale të SHBA-së për të ulur normat e interesit, raporton Reuters, transmeton Gazeta Enigma.

Ndërkohë, në një postim në “Truth Social” të premten Trumpi ka ndarë një video që sugjeronte se tarifat e tij synonin të godasin me qëllim tregun e aksioneve në një përpjekje për të detyruar norma më të ulëta interesi.

Trumpi ka tronditur ekonomitë anembanë botës pasi njoftoi tarifa të gjera për importet amerikane të mërkurën, duke shkaktuar taksa hakmarrëse nga Kina dhe duke ndezur frikën e një lufte tregtare dhe recesioni në botë.

Aksionet amerikane kanë rënë me rreth 10% në dy ditët e para që kur Trumpi ka njoftuar një regjim të ri tarifor global që ishte më agresiv nga sa kishin parashikuar analistët dhe investitorët.

Related Articles