Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve 15 të akuzuarve (12 persona fizikë dhe 3 persona juridik) në rastin “Stenta 3”.
Në këtë rast, të akuzuar ishin Ali Hocaoglu, Astrit Bakiqi, Borche Petrovski, Lulzim Brovina, Arton Beqiri, Driton Sylejmani, Abdullah Tuna, Mahmut Çakmak, Shpend Elezi, Blerim Zuna, Raif Çavolli dhe Nexhmi Zeqiri, si dhe tre persona juridik, përkatësisht spitalet private “International Medicine Hospital”, “Intermed” dhe “Doktor”.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të akuzuarit u liruan nga akuza për “Dhënie ryshfeti”, “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” dhe “Shmangie nga tatimi”, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprat penale që iu viheshin në barrë.
Kurse, për të pandehurit Lulzim Brovina, Borche Petrovski dhe Blerim Zuna, refuzohet akuza për veprën penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”, si dhe për Nexhmi Zeqirin dhe NSh “Zemra dhe Rehabilitimi” për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, ngase ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Gjykatësi Ajvazi tha se me vendim të posaçëm, Gjykata do të lirojë dorëzaninë, kurse palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest juridiko-civil.
Shpenzimet bien në barrë të buxhetit të gjykatës. Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 30 ditësh pas pranimit të tij në formë të shkruar.
Ndaj të akuzuarve në rastin “Stenta 3″, rëndonin akuzat që kanë të bëjnë me veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “Shmangia nga tatimi”.