Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Por kjo dukuri nuk po i mban imun as personat që janë prapa grilave.
Sikleti për të konsumuar drogë po i detyron ata që të kërkojnë nga të afërmit të veprojnë kundërligjshëm, për t’iu dërguar sasi të ndryshme të narkotikëve.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy raste të tilla janë zbuluar së fundi në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Sipas burimeve, në njërin rast gjatë kontrollit nga ana e oficerëve, janë gjetur dhe sekuestruar dy qese me marihuanë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Po ashtu, një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë është gjetur e fshehur në një fshesë që përdoret për pastrimin e dyshemesë.
Me urdhër të prokurorit, janë iniciuar dy raste të veçanta për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.