Më 15 qershor 2025, duke filluar nga ora 20:30, në ambientet e Shkollës së Muzikës në Gjilan, flautistja Arzije Rifati do të mbajë koncertin e saj recital.
Programi i mbrëmjes përfshin një repertor të përzgjedhur me vepra nga kompozitorë të njohur klasikë dhe bashkëkohorë si Georges Bizet, Astor Piazzolla, Ian Clarke, Pyotr Tchaikovsky e të tjerë.
Artistja do të shoqërohet në skenë nga dy instrumentistë profesionist: Sumeja Baftijari në piano dhe Urim Maliqi në kitarë, shkruan Gazeta Enigma.
Ky koncert organizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim t’u ofrojë artdashësve të Gjilanit një përjetim të veçantë muzikor – pikërisht në qytetin ku Rifati e nisi rrugën e saj artistike.
Arzije Rifati kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në drejtimin instrumental – flaut, në qytetin e saj të lindjes, Gjilan.
Studimet Bachelor i përfundoi në vitin 2017, ndërsa Masterin në muzikë – performim në vitin 2019. Po në vitin 2017, ajo u përzgjodh për të interpretuar si soliste me Filharmoninë e Kosovës, pas një audicioni të suksesshëm.
Arzije Rifati ishte anëtare e Orkestrës së Operës së Kosovës, ku ka marrë pjesë në projekte madhore, përfshirë operën e parë të realizuar në vend – La Traviata (2022) – dhe si flautiste e parë në operën Lo Speziale (2023).
Në një prononcim për Gazetën Enigma, Arzije Rifati theksoi rëndësinë që ka ky koncert në rrugëtimin e saj artistik.
“Ky koncert për mua ka një rëndësi të veçantë, jo vetëm si rikthim në qytetin ku nisi rrugëtimi im artistik, por edhe si një kontribut i drejtpërdrejtë në pasurimin e jetës kulturore në vend, duke promovuar muzikën klasike”, theksoi ajo.
Hyrja në koncert është falas për të gjithë artdashësit. /Gazeta Enigma.