Dogana e Kosovës, ka njoftuar për një aksion të përbashkët me policinë, ku janë parandaluar dy raste të kontrabandimit të mallrave.
Dogana njofton se kanë gjetur dhe sekuestruar mallra kryesisht: produkte ushqimore; produkte higjienike; birra të llojeve të ndryshme.
‘’Me të vërejtur praninë e zyrtarëve, drejtuesit e automjeteve kanë devijuar nga rruga dhe janë ndalur në oborrin e një shtëpie, prej nga kanë tentuar të largohen në këmbë në drejtim të arave. Pas ndjekjes, zyrtarët kanë arritur të ndalojnë njërin prej personave të dyshuar, ndërsa personi tjetër është larguar dhe, në këtë fazë, mbetet i paidentifikuar’’, thuhet në njoftim.
Postimi:
Aksion i përbashkët i Doganës dhe Policisë – parandalohen dy raste të kontrabandimit të mallrave
Më 15.08.2026, rreth orës 08:00, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë pranuar informacion për dy automjete të dyshuara, të cilat pritej të hynin nga territori i Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale, në zonën e Zubin Potokut.
Pas pranimit të informacionit, njësitë përkatëse të Doganës dhe Policisë kanë koordinuar veprimet dhe janë pozicionuar në disa pika për identifikimin, vëzhgimin dhe ndalimin e automjeteve të dyshuara.
Rreth orës 09:00 janë identifikuar dy automjete që po lëviznin në drejtim të Mitrovicës. Gjatë lëvizjes, automjetet kanë devijuar nga rruga kryesore, duke vazhduar përmes një rruge dytësore në drejtim të fshatit Varagë.
Me të vërejtur praninë e zyrtarëve, drejtuesit e automjeteve kanë devijuar nga rruga dhe janë ndalur në oborrin e një shtëpie, prej nga kanë tentuar të largohen në këmbë në drejtim të arave. Pas ndjekjes, zyrtarët kanë arritur të ndalojnë njërin prej personave të dyshuar, ndërsa personi tjetër është larguar dhe, në këtë fazë, mbetet i paidentifikuar.
Të dy automjetet janë dërguar në Terminalin Doganor, ku është kryer kontrolli dhe evidentimi i mallrave. Në automjete janë gjetur mallra të kontrabanduara, kryesisht:
* produkte ushqimore;
* produkte higjienike;
* birra të llojeve të ndryshme.
Mallrat dhe automjetet janë ndaluar dhe janë dorëzuar në depon përkatëse të Doganës së Kosovës. Për rastet janë lëshuar dokumentet zyrtare për konfiskimin e mallrave dhe ndalimin e automjeteve, përfshirë dokumentacionin në mungesë ndaj personit ende të paidentifikuar.
Rasti është duke u trajtuar nga strukturat kompetente të Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në koordinim me njësitë përkatëse hetimore, për dokumentimin e plotë dhe ndërmarrjen e procedurave të mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës vlerëson bashkëpunimin dhe koordinimin e vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, i cili mundësoi parandalimin e futjes së mallrave përmes rrugëve ilegale dhe goditjen e kontrabandës. Institucionet e zbatimit të ligjit mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e kufirit, ekonomisë së ligjshme dhe sigurisë së qytetarëve.
