Kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe anëtari i klubit italian, Napoli, Amir Rrahmani është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit 2021 në manifestimin tradicional të FFK-së “Laureatët e Vitit”.
Rrahmani ka treguar formë të jashtëzakonshme gjatë këtij viti, si në paraqitjet me ekipin dardanë, ashtu edhe me klubin e tij, duke e fituar me meritë çmimin “Fadil Vokrri”. Ai nuk arriti të ishte i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të ndeshjes së sotme në Serie A kundër Spezias, por nëpërmjet një video-mesazhi falënderoi FFK-në për vlerësimin ndaj tij.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë. Ky çmim për mua është një privilegj i madh dhe një shtysë që të punoj edhe më shumë për të ardhmen. Për mua ka qenë viti më i suksesshëm, ndoshta më i miri në karrierën time, por besoj se është vetëm fillimi, sepse kur arrin në këto nivele gjithmonë mundohesh të përmirësohesh sa më shumë. Po e mbyllim një vit jo edhe aq të mirë për kombëtaren sepse kemi pritur rezultate më të mira, por futbolli e ka kështu. Duhet të besojmë që në të ardhmen të kualifikojmë Kosovën në Evropian ose Botëror, pse jo. Faleminderit edhe njëherë për besimin dhe shpresoj që të kthemi më të fortë në kualifikimet e ardhshme, ju përshëndes të gjithëve”, ka thënë Rrahmani.
Manifestimi i këtij viti u mbajt vetëm me praninë e laureatëve për shkak të masave mbrojtëse kundër Covid-19.
Presidenti Agim Ademi në fjalimin e tij vuri në dukje se pamundësia për të ftuar mysafirë e ka bërë këtë mbrëmje më të vobektë, por dëshira ishte që përkundër rrethanve të vazhdojë tradita dhe të nderohen më të dalluarit e vitit.
Ai foli për vështirësitë që ka hasur FFK, por edhe klubet gjatë këtij viti si pasojë e pandemisë, e cila po ashtu goditi edhe tifozët, të cilët nuk kishin mundësi të ishin afër skuadrave të tyre të zemrës në stadiume.
Ai tha se viti 2021 nuk solli rezultatet e pritura dhe të merituara të Kombëtares, teksa vlerësoi rritjen e cilësisë së kampionatit vendor, si dhe paraqitjen e klubeve në garat evropiane. Presidenti Ademi në fjalën e tij vuri në pah projektet e realizuara në teknologji dhe digjitalizim, siç janë sistemi VAR dhe katapultat GPS, por edhe punët e mëdha në përmiërësimin e infrastrukturës.
Krahas çmimit kryesor të kësaj mbrëmje u ndan edhe çmimet për më të dalluarit në futbollin kosovar. Epiteti i futbollistit më të mirë të vitit në BKT Superligë me votat e gazetarëve sportivë i takoi Endrit Krasniqit, i cili dha kontribut të çmuar në rrugën drejt titullit të kampionit, derisa klubi i tij FC Prishtina u nderua me çmimin e klubit më të mirë.
E trajneri më i mirë u shpall Zekirija Ramadani, i cili me Prishtinën e fitoi titullin. Çmimin e golashënuesit më të mirë e fitoi sulmuesi i Gjilanit, Gerhard Progni, me 19 gola, derisa në 11-shen më të mirë e vitit u zgjodhën: Enea Koliqi (Gjilani), Leotrim Bekteshi (Prishtina), Ardian Limani (Drita), Ilir Blakqori (Drita), Armend Thaqi (Ballkani), Arbnor Ramadani (Llapi), Endrit Krasniqi (Prishtina), Valmir Veliu (Llapi), Ermal Krasniqi (Ballkani), Gerhard Progni (Gjilani), Kreshnik Uka (Drenica). Gjyqtari më i mirë i vitit 2021 u shpall Dardan Çaka, derisa me çmimin për të arriturat në ndarje të drejtësisë u nderua Lumturije Muhadri.
Çmimin e klubit më ‘fair-play’ e fitoi FC Feronikeli. Në futbollin e femrave futbollistja më e mirë u shpall Donjeta Halili, derisa klubi i saj KFF “Mitrovica” e fitoi çmimin e klubit më të mirë. Shpresa e vitit u zgjodh anëtarja e KFF Malisheva, Vesa Paçarizi. Ndërkaq, në futsall epiteti i lojtarit më të mirë i takoi Yulian David Diaz Montanez, derisa klubi i tij FC Liqeni u shpall klubi më i mirë i vitit. E si zakonisht me mirënjohje post-mortum nga FFK u nderuan të gjitha personalitetet që kontribuan në futbollin kosovar në periudha të ndryshme dhe që ndërruan jetë gjatë këtij viti. Çmimet për laureatët i ndanë presidenti Agim Ademi, nënkryetarët Agim Dibrani, Bakir Burri e Predrag Jovic, anëtarët e KE-së, Vjollca Krasniqi, Xhelal Broja, Ismajl Ajeti, Agim Nura, Mirsad Çollaku e Naser Ajeti dhe ud.sekretari i përgjithshëm, Taulant Hodaj.