Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka reaguar sërish pas takimit me funksionarë të lartë evropianë.
Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram ka deklaruar se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën të zbatohen.
Ai ka theksuar se nuk do ta njohin si shtet Kosovën e as anëtarësimin e saj në OKB.
“Serbia, në përputhje me politikën e saj, ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen. Ne gjithmonë e kemi theksuar vetëm një gjë, ajo është se nuk mund ta pranojmë anëtarësimin e Kosovës në OKB, as pavarësinë e Kosovës“.
Sipas tij Serbia do “paqe” dhe do të veprojë me përgjegjësi ndërkohë që BE do të shikojë se kush po e pengon progresin.
“Ne jemi plotësisht të gatshëm për formimin e Asociacionit, por më duket se sot është e qartë për të gjithë se nuk bëhet fjalë për nënshkrim, por për zbatimin e asaj që është rënë dakord. Ne duam paqe dhe do të vazhdojmë të veprojmë me përgjegjësi. Jam i bindur se ose do të duhet të arrijmë progres, ose do të jetë e qartë për të gjithë në Evropë se cilët janë ata që e pengojnë progresin”, ka shkruar presidenti Vuçiq në profilin e tij në Instagram.