Ngjarja e rëndë e orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne, ku pas një sulmi me armë zjarri ndaj godinës së Top Channel, mbeti i vrarë punonjës i sigurisë Pal Koka, ka shkaktuar mjaft reagime në Shqipëri dhe jashtë vendit, teksa institucionet më të lartë të medias e politikës kanë dënuar ashpër incidentin.
Kështu, Delegacioni i BE-së në Tiranë ka qenë ndër të parat organizata që dënuar sulmin ndaj medias që ka bërë revolucion në vendin tonë, teksa i ka bërë thirrje autoriteteve për një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit:
‘Delegacioni i BE-së në Shqipëri dënon sulmin me armë zjarri në mjediset e Top Channel dhe i shpreh ngushëllimet e thella familjes dhe kolegëve të Pal Kolës, rojes së sigurisë që mbeti i vrarë në sulm. U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë. Sundimi i ligjit dhe liria e medias janë dy vlera themelore të shoqërive demokratike që duhet të respektohen.”
Nga ana tjetër edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka dënuar me forcë sulmin kriminal kundër, duke e konsideruar, një sulm flagrant kundër demokracisë:
“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik. Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë”
Po ashtu në lidhje me ngjarjen kanë reaguar edhe përfaqësitë diplomatike në Tiranë, teksa Ambasada e SHBA në Tiranë thotë se “dënon me forcë sulmin vdekjeprurës ndaj Top Channel dhe i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së viktimës. Nxisim agjencitë ligjzbatuese të kryejnë një hetim tërësor që do të nxjerrë përgjegjësit përpara drejtësisë”.
Ambasada Britanike shprehet kështu në deklaratën e saj: “Shprehim tronditjen mbi incidentin e dhunshëm në Top Channel dhe shpresojmë që përgjegjësit të dalin sa më parë përpara drejtësisë. Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me familjen e viktimës dhe të gjithë personat e prekur.”
Ndërkohë në një postim në Twitter të Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias thuhet:
“Mbetëm të shokuar kur mësuam se ka pasur një sulm me armë zjarri në ambientet e Top Channel në #Shqipëri, ku humbi jetën një roje sigurie e objektit. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të kryejnë hetime të pavarura dhe profesionale.”
Përmes këtij rrjeti social, edhe Safe Journalist Albania përcolli mesazhin e Media Freedom Rapid Response, mekanizmit evropian që gjurmon, monitoron e reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit në vendet e BE-së:
“Mendimet tona janë me familjen e rojës së sigurisë që humbi jetën në sulmin tragjik ndaj ambienteve të Top Channel në Shqipëri. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të kryejë hetime të plota dhe të paanshme për këtë incident dhe të nxjerrë autorët para drejtësisë”
Ndaj ngjarjes së rëndë reagoi dhe shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” duke u shprehur:
“Dënojmë me forcë sulmin terrorist me armë në orët e para të mëngjesit të sotëm ndaj televizionit kombëtar Top Channel, gjatë të cilit humbi jetën roja i sigurisë. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin solidaritetin e plotë me kolegët e gjithë komunitetin e Top Channel dhe i përcjellin ngushëllimet më të ndjera familjarëve të të ndjerit Pal Kola. Shoqata u bën thirrje agjencive ligjzbatuese për hetime të sa më të shpejta dhe transparente mbi këtë ngjarje tronditëse për gjithë komunitetin e gazetarëve”
Sa i takon politikanëve, Presidenti Bajram Begaj ka qenë ndër të parët që ka reaguar ndaj sulmit, ndërsa përmes një mesazhi në rrjetet sociale shkruan: “Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”
Nuk ka munguar edhe deklarata e kryeministrit Edi Rama, i cili shkruan: “Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!”
Ndërkohë Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, përmes një reagimi në rrjetet sociale ka dënuar sulmin kriminal, duke thënë: “Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me #TCH”.
Një reagim e ka bërë edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili shkruan në rrjetet sociale: “Sot jemi të gjithë solidarë me Top Channel, pas aktit kriminal të mbrëmjes së djeshme, që i mori jetën një personeli të sigurisë. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe mbështetje agjencive ligjzbatuese për zbardhjen sa më parë të ngjarjes.”