Kombëtarja e Kosovës U17 e ka mbajtur seancën e radhës stërvitore para ndeshjes së dytë të rrethit elitë me Italinë, e vlefshme kualifikimet e Kampionatit Evropian 2022 që mbahet në Izrael prej 16 majit deri më 1 qershor.
Përzgjedhësi Arsim Abazi tha se janë përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Italinë.
“Ndonëse ne e humbëm ndeshjen e parë, kemi treguar një karakter të fortë ndaj Ukrainës dhe kemi parë që kemi kapacitet dhe mund të përballemi edhe me ekipe tjera. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen me Italinë dhe besoj që kemi gjasa të nxjerrim rezultat pozitiv”, tha ai.
“Kemi dy lojtarë me lëndime, por kemi gjetur zëvendësimet e duhura që na japin shpresë për rezultat pozitiv për të shkuar drejt qëllimit”, shtoi Abazi.
Kurse, futbollisti i Kosovës U17, Erion Kajtazi para përballjes me italianët u shpreh:
“E dimë mirë që do të jetë një ndeshje e fortë, ngase Italia është tjetër nivel i kundërshtarit, por ne nuk hyjmë për t’u dorëzuar dhe do të luftojmë deri në fund. Besoj që e kemi ekipin e mirë dhe po ashtu ende kemi shpresa për kualifikim”.
Ndeshja mes Kosovës dhe Italisë do të zhvillohet më 23 prill në ora 15:00.