Personat e infektuar me variantin Omicron të koronavirusit kanë nga 50 deri në 70 për qind më pak gjasa që të kenë nevojë për përkujdesje spitalore në krahasim me të prekurit nga variantit e mëparshme, sipas një analize.
Agjencia për Siguri Shëndetësore e Britanisë së Madhe thotë se gjetjet e hershme të saj janë inkurajuese, por varianti ende mund të çojë në shifra të mëdha të njerëzve nëpër spitale, shkruan BBC.
Studimi gjithashtu tregoi se aftësia e vaksinës për ta parandaluar infektimin e njerëzve me Omicron fillon të dobësohet dhjetë javë pas marrjes së dozës përforcuese, ndërsa mbrojtja nga sëmundja e rëndë ka gjasë të jetë shumë më e fuqishme.
Raporti vjen në kohën kur edhe të dhënat nga Afrika Jugore, Danimarka, Anglia dhe Skocia treguan për ashpërsi më të vogël të këtij varianti.
Analiza më e re është e mbështetur në të gjitha rastet me Omicron dhe Delta në Britaninë e Madhe nga fillimi i nëntorit, përfshirë 132 persona të pranuar në spital me variantin e ri. Deri më tani janë regjistruar 14 të vdekur brenda 28 ditëve të infektimit me variantin Omicron në Britani.
Megjithatë, një virus më i butë prapë mund t’u bëjë trysni spitaleve, sepse përhapet shumë shpejt. Problemi është se çfarëdo përfitimi nga një virus më i butë mund të neutralizohet nga numri i madh i njerëzve të infektuar me variantin Omicron. Britania ka regjistruar një rekord të ri me 119.789 raste të konfirmuara për një ditë.
Paqartësi ka edhe për atë që do të ndodhë, kur varianti Omicron të arrijë te të moshuarit, sepse shumica e të prekurve dhe që janë shtrirë në spital deri më tani kanë qenë nën moshën 40-vjeçare.