Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në afërsi të shkollës fillore në fshatin Uglarë të Graçanicës, ku një person ende i paidentifikuar, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tre të miturve.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari ka gjuajtur me armë nga automjeti në të cilin ndodhej, e që ky veprim mund të kishte pasoja fatale për tre të miturit që ndodheshin në oborrin e shkollës.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja që dyshohet të jenë të armës që u përdor në rast.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari.