Ka ndërruar jetë Bajram Neziri, ish zyrtarë i FFK-së. Lajmin e ka konfirmuar faqja zyrtare e FFK-së, ku bëhet e ditur përmes një telegrami ngushëllues të kreut të këtij institucioni, Agim Ademi, drejtuar familjes së të ndjerit.
Postimi i plote:
Prishtinë, 11 maj, 2021, E nderuara Familje Neziri!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Bajram Neziri, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, KE, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Bajram Neziri një jetë të tërë ia kushtoi futbollit dhe në veçanti Federatës së Futbollit të Kosovës. Ai ishte njëri ndër punëtorët më të dalluar sportivë në Kosovë. Bajrami punoi me zell, profesionalizëm e përkushtim të madh në Federatën e Futbollit të Kosovës për shumë dekada deri në pensionim dhe kontributi i tij në ngritjen organizative të FFK-së dhe të futbollit në përgjithësi ishte i padiskutueshëm.
Ai ishte pjesë e një familje bujare, intelektuale e atdhedashëse, por që ishte ngushtë e lidhur edhe me sportin, e në veçanti futbollin. Me kontributin dhe dashamirësinë e tij, Bajrami, ka bërë që të jetë mik i respektuar i të gjithë atyre që e kanë njohur në botën e futbollit.
Ne do ta kujtojmë me pietet dhe respekt maksimal për angazhimin dhe punën e tij të çmuar dhe të jashtëzakonshme që e dha për futbollin e Kosovës. Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë dashamirëve të tij.
Shpirti i tij u prehtë në paqe!
Me pikëllim e respekt të madh,
Agim Ademi, president i FFK-së