Transmetuesi publik i Greqisë, ERT, ka kërkuar falje për deformimin e flamurit të Kosovës gjatë transmetimit të ndeshjes së hendbollit mes Greqisë dhe Kosovës.
Ndeshja është luajtur të dielën në Heraklion dhe përfundoi me fitoren 26:25 të Greqisë. Ajo është transmetuar në ERT3, njërin prej kanaleve televizive të Korporatës së Transmetuesve të Greqisë.
Por në grafikën e shfaqur para fillimit të ndeshjes, flamuri i Kosovës është paraqitur në formë të ç’rregullt. Në vend të hartës së Kosovës, në flamur është paraqitur harta e Australisë. Deri të martën nuk ka pasur ndonjë qëndrim të televizionit grek.
Në një përgjigje me shkrim për KOHËN, drejtori gjeneral i ERT3, Filios Stangos, ka thënë se bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm. Ai ka kërkuar falje.
“Më lejoni së pari të shpreh keqardhjen tonë më të thellë në emër të ERT-së për keqinterpretimin flagrant të flamurit të Republikës së Kosovës gjatë transmetimit të ndeshjes së hendbollit “Greqi vs Kosovë, të dielën e kaluar”, ka shkruar fillimisht Stangos në përgjigjen për KOHËN.
“Si koleg, mund të ndaj hutimin tuaj për një gabim të tillë. E vërteta është se disenjatorja grafike që ishte në detyrë të shtunën e kaluar zgjodhi të injorojë udhëzimet e detajuara të eprorëve të saj, duke vendosur të kërkojë në ‘google’ (në greqisht) flamurin e Kosovës. Dhe më pas ajo përdori një imazh të gabuar të propozuar nga një uebfaqe”.
Udhëheqësi i televizionit grek ka prezantuar edhe faqen e internetit prej nga është marrë flamuri i deformuar i Kosovës.
“Përsëri dëshirojmë të shprehim keqardhjen tonë më të thellë për zhgënjimin e kuptueshëm të shkaktuar te bashkëqytetarët tuaj nga ky keqinterpretim. Duam t’ju sigurojmë se në asnjë mënyrë nuk ishte rezultat i një akti të qëllimshëm nga personeli ynë”, shkruan në përgjigjen e drejtorit të televizionit grek.
Federata e Hendbollit e Kosovës ka kërkuar sqarime lidhur me flamurin e paraqitur nga televizioni grek. Ndërkohë FHK-ja ka njoftuar se të gjithë simbolet e Kosovës janë respektuar gjatë ndeshjes në Heraklion, në ishullin e Kretës. Është shfaqur flamuri i Kosovës, është intonuar himni. Madje flamuri është shfaqur edhe në autobusin me të cilin ka udhëtuar Kosova në qytetin grek dhe në hotelin ku ishte e vendosur përfaqësuesja. Pritja e delegacionit të Kosovës nga grekët, sipas FHK-së, ishte e shkëlqyeshme.